Filantropi bullgar Milen Vrabevski ka deklaruar nga Korça se nuk do të ndërhyjë në debatin për reformën e re territoriale në Shqipëri dhe as nuk do të ushtrojë ndikim për të ruajtur statusin e Bashkisë së Pustecit.
Duke iu përgjigjur interesimit për të ardhmen e bashkisë me minoritet bullgar, Vrabevski theksoi se vendime të tilla i takojnë institucioneve shqiptare dhe duhet të merren në funksion të interesit të vendit.
Ai nënvizoi se të drejtat e minoritetit bullgar nuk varen nga kufijtë administrativë, por nga garantimi i standardeve europiane, arsimit, kulturës dhe integrimit të komuniteteve lokale.
Pyetje: Zoti , së pari, ka shumë ardhje këtu në Shqipëri dhe në Pustec nga ana juaj. Dhe së dyti, qeveria shqiptare po bën një strategji të re për bashkitë. Bashkia e Pustecit është e rrezikuar të shkrihet ose të bashkohet me Korçën, Maliqin apo dikë tjetër. A do të bëni ju lobim për këtë, që ajo të mbetet si një bashki e minoritetit bullgar e kështu me radhë?
Vrabevski: Jo, unë ua le në dorë qeverive lokale të marrin këto vendime. Kjo është politika juaj e brendshme dhe ju duhet t’i merrni vendimet tuaja sipas interesave të vendit tuaj. Unë jam një filantrop, jam këtu për të ndihmuar. Do të dëshiroja t’ua ktheja atë gjest që bëtë në vitin 2017, kur njohët minoritetin bullgar këtu. Tani ai është minoriteti juaj i dytë më i madh, dhe unë jam këtu për të investuar në integrimin e tij në një mënyrë evropiane në shoqërinë tuaj.
Integrimi i suksesshëm nënkupton qasje në kujdesin shëndetësor, kulturë, arsim, si dhe shkëmbim të inovacionit. Ne jemi këtu për të investuar te popullsia vendase, pa marrë parasysh se cila është origjina e saj. Ne nuk bëjmë dallim se cili është vetëidentifikimi i komuniteteve lokale, sepse integrimi evropian njeh vetëm standarde të larta të jetesës, të cilat ne synojmë t’i arrijmë për njerëzit tuaj. Kjo është arsyeja pse jam këtu, për hapin e radhës të bashkëpunimit tonë të ndërsjellë: të investojmë në arsim e kulturë, si dhe në sigurimin e një qasjeje të duhur të komuniteteve lokale ndaj një administrate lokale të përshtatshme.
Pyetje: A do të plotësohen të drejtat e bullgarëve në Pustec nëse një ditë qeveria e Shqipërisë do të thotë se ju nuk do të jeni më një bashki minoriteti, por do të bashkoheni me një bashki tjetër?
Vrabevski: Për sa kohë që ata kanë standarde të larta jetese dhe për sa kohë që jeni pjesë e Bashkimit Evropian, kjo nuk përbën ndonjë shqetësim për mua, kështu që nuk ka asnjë problem.
Pyetje: Por ne nuk jemi ende…
Vrabevski: Jo ende, por jeni në rrugën e duhur dhe ju përgëzoj për këtë. Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu me kolegët e mi nga Parlamenti Evropian dhe ai Kombëtar Bullgar, për t’u siguruar që t’i sqarojmë të gjitha këto çështje. Detyra ime e vetme është të nënshkruaj faturat sa herë që është e nevojshme
Top Channel