Themeluesi i Teslas “fshin” 14 mld USD me një postim

02/05/2020 12:48

Themeluesi i Teslas, Elon Musk, fshiu 14 miliardë dollarë nga vlera e prodhuesit të makinave, me një postim të vetëm në Twitter, në të cilin ai pohonte se çmimi i aksioneve të kompanisë së tij, ishte shumë i lartë.

Ky postim ka fshirë po ashtu edhe 3 miliardë dollarë vlerë të aksioneve personale të Musk te Tesla pasi investitorët menjëherë braktisën kompaninë.

“Aksionet e Teslas janë shumë të larta sipas mendimit tim”, shkroi ai në një prej postimeve të tij në Twitter, që përfshinin edhe një premtim për shitjen e pronave të tij. Në postimet e tjera, ai shkruante se e dashura ishte e zemëruar me të ndërsa në një tjetër, thjeshtë shkruhej: zemërim, zemërim, kundër vdekjes së dritës së ndërgjegjes.

Në 2018-n, një postim në Twitter për të ardhmen e Teslës në bursën e Nju Jorkut bëri që rregullatorët ta gjobisnin atë me 20 milionë dollarë dhe Musk ra dakord që postimet e tjera të tij në platformë të kontrolloheshin më parë nga avokatët.

Një ditë më parë, Musk kishte kritikuar po ashtu të gjitha kufizimet si pasojë e koronavirusit duke i quajtur ato fashiste. Aksionet e Teslas ishin rritur me rreth 85 përqind këtë vit dhe analistët konsideronin se kompania ishte e pozicionuar mirë për tranzicionin e pritshëm tek makinat elektrike. Por, aksionet u zhytën me 10.3 përqind të premten, pas postimeve të tij në Twitter.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA