Masakra në 2 lokale në Gjermani, autorit i gjendet në banesë një letër dhe video

20/02/2020 10:09

Një krim brutal në qytetin Hanau, jo larg, Frankfurtit. Njoftohet për 11 vetë të vdekur, mes tyre edhe autori i dyshuar i vrasjes. Ka të dhëna për motive ekstremiste të djathta të vrasjeve.

Pas zjarrit të hapur në dy shisha-bars në qytetin e Hanaut në Gjermani, sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, janë gjetur edhe një letër dhe video e autorit të dyshuar të vrasjeve, që janë duke u vlerësuar. Hetimet i ka marrë ndërkohë përsipër Prokuroria e Përgjithshme gjermane. Sipas informacioneve të dpa-së, ka të dhëna për motivin e urrejtjes ndaj të huajve. Gjithsej në Hanau humbën jeten 11 vetë, katër vetë janë plagosur. Edhe gazeta “Bild” shkruan, se autori i dyshuar ka vepruar me motiv ekstremist të djathtë. Tek autori i vrasjeve bëhet fjalë për një gjerman që ka pasur të drejtën e armës për gjueti. Në automjetin e tij është gjetur edhe municion luftarak, raporton “Bild” bazuar në qarqet e policisë.

Sipas njoftimeve të radios së landit Hesen, fillimisht u sulmua një shisha-bar në qytetin e Hanaut. Dëshmitarë okularë kanë thënë, se ka pasur disa të shtëna, pastaj autori apo autorët janë larguar me automjet. Në lagjen Kesselstadt është qëlluar sërish në një shisha-bar tjetër. Edhe këtu ka pasur disa viktima. Të enjten në mëngjes, policia bëri të ditur, se ka gjetur kufomën e autorit të dyshuar në apartamentin e tij në qytetin Hanau. Aty forcat speciale gjetën edhe një person tjetër të vdekur. Bashkë me të numri i të vdekurve arrin në 11 vetë.

Tronditje në Gjermani

Kreu i bashkisë së Hanaut, Claus Kaminsky, CDU u shpreh i tronditur për dhunën në qytetin e tij. “Kjo ishte një natë e tmerrshme që do na preokupojë gjatë dhe do të qëndrojë gjatë si një kujtim pikëllues.” Kreu i bashkisë porositi që shkollat dhe disa kopshte në Hanau të mbeteshin të mbyllura ditën e enjte. Edhe deputetja e Bundestagut e zonës zgjedhore të Hanaut, Katja Leikert, CDU u shpreh e tronditur e bëri fjalë për një “skenar tmerri”. “Në këtë natë të tmerrshme, u dëshiroj familjeve të viktimave shumë forcë për të përballuar dhimbjen dhe shpreh ngushëllimin e thellë.”

Qeveria gjermane reagoi e tronditur pas dhunës në Hanau. “Mendimet tona janë këtë mëngjes tek njerëzit në Hanau, në qendër të të cilit u krye një krim i tmerrshëm”, shkroi zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert në twitter. “Ngushëllimet tona për familjet e prekura që vajtojnë për të afërmit e humbur”, shkruan Seibert.

I tronditur u shpreh edhe presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel. “Humbja e pakuptimtë e jetëve të njerëzve është një tragjedi, pavarësisht ku ndodh ajo”, shkroi ai në twitter- “Pas sulmit të tmerrshëm jemi me mendje tek njerëzit në Hanau.”/DW

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA