
Kryeministri i vendit teksa ditën e sotme ndodhet në Bruksel për Koferencën e Donatorëve për dëmet e tërmetit të 26-nëntorit, ka marrë pjesë edhe në një mëngjes pune të organizuar nga ministri i Jashtëm i Italisë Luigi di Maio në Bruksel.
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm komisionerë dhe ministra të jashtëm të vendeve të BE-së. Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i pranisëm në këtë takim tha se Komisioni Evropian mbështet Operacionin Forca e Ligjit, duke shprehur vlerësimin e tij për reformat.
“Shpejtësia e reformave është shtuar. Përgëzoj operacionin e OFL, tregon lidership në luftën kundër krimit. Komisioni mbështet operacionin Forca e Ligjit”, deklaroi Varhelyi.
Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Italisë, Di Maio është shprehur se hapja e negociatave do të shënojë vetëm fillimin e integrimit të Shqipërisë dhe jo përfundimin e rrugëtimit Evropian.
“Integrimi i Ballkanit mbetet investimi ynë kyç strategjik për të paqen dhe stabilitetin në Europë. Lidhur me negociatat, hapja e tyre do të shënjojë vetëm fillesën dhe jo përfundimin e rrugëtimit europian, nuk mund të nënvlerësojmë ndikimin potencial të hezitimeve tona në Ballkan, sidomos kur bëhet fjalë për qëndrimet reformatore” u shpreh Di Maio.
Pas përfundimit të takimit kryeministri Edi Rama ka publikuar disa foto në faqen e tij në Facebook duke vlerësuar ministrin e Jashtëm italian dhe pjesëmarrësit në mëngjesin e punës për Shqipërinë.
“Me mikun e çmuar, ministrin e jashtëm të Italisë, Luigi di Maio, komisionerin për zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe ministrat e jashtëm të BE në Bruksel” shkruan Rama.
Top Channel