U arrestuan pas trazirave në protestë, 22 persona lirohen me detyrim paraqitje
Avokati i Popullit ka ngritur shqetësime për pretendimet e dhunës policore ndaj protestuesve të shoqëruar gjatë protestës së 20 tetorit në Tiranë, si dhe për kushtet e mbajtjes së tyre në ambientet e policisë.
Në raportin paraprak të monitorimit, institucioni evidenton mbipopullimin në Bllokun e Sigurisë, ku u konstatuan 118 persona, ndonëse kapaciteti zyrtar është 67, si dhe praninë e gjashtë të miturve.
Avokati i Popullit kërkon nga institucionet përgjegjëse ruajtjen e pamjeve filmike, verifikimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës dhe respektimin e garancive ligjore për personat e shoqëruar dhe të arrestuar.
“Sot, 21 tetor, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i datës 20 tetor në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar. Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon, dhe do t’ju njoftojmë brenda afateve ligjore.
Gjatë ditës së 20 tetorit, ekipe të Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatin e Policisë nr. 2, Bllokun e Sigurisë dhe Spitalin e Traumës. Komisariatet nr. 1, 5 dhe 6 nuk kishin persona të shoqëruar gjatë inspektimit, dhe për këtë arsye nuk janë pjesë e këtij monitorimi.
3.1 Pretendimet e dhunës dhe përdorimi i forcës
Në Bllokun e Sigurisë u pretendua dhunë gjatë ndalimit ose shoqërimit. Në një rast u raportua dëmtim në kokë, dhe në një tjetër dëmtim i syrit. Pamjet filmike të publikuara nga protesta ngrenë shqetësime për tërheqje zvarrë dhe goditje me shkopinj gome. Qytetarët na kanë dërguar pamje filmike të dhunës së ushtruar nga policia gjatë ndalimit dhe shoqërimit. Ne po i analizojmë dhe po i hetojmë për të nxjerrë përgjegjësit. Gjithashtu, publiku na është drejtuar me ankesa përmes telefonit dhe na ka sinjalizuar raste të përdorimit të forcës, të cilat po analizohen.
Standardi: Neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Neni 11 mbron tubimin paqësor. Përdorimi i forcës duhet të jetë i ligjshëm, i domosdoshëm dhe proporcional.
3.2 Trajtimi në spital
Në Spitalin e Traumës, një person i arrestuar qëndronte ende i shtruar, i prangosur në krevat, ndërsa një punonjës policie ishte në dhomë. Ai pretendoi se u dhunua gjatë arrestimit dhe kishte dëmtim të madh në sy.
Standardi: Nenet 3 dhe 5 të KEDNJ kërkojnë mbrojtjen nga keqtrajtimi dhe respektimin e garancive gjatë privimit nga liria. Çdo kufizim fizik duhet të ketë bazë, të jetë i nevojshëm dhe të dokumentohet.
3.3 Kushtet dhe mbipopullimi
Gjatë inspektimit në Bllokun e Sigurisë u konstatua se në dhoma të destinuara për një person qëndronin 3 deri 4 persona. Sipas raportimit, të paktën dy persona flinin në dysheme. Kapaciteti zyrtar i Bllokut të Sigurisë është 67 persona, ndërsa ne gjetëm aty 118 të arrestuar.
Standardi: Neni 3 i KEDNJ ndalon trajtimin çnjerëzor ose poshtërues. Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar hapësirën minimale prej 3 m² për të burgosur në qeli me shumë persona. Standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT) kërkojnë vend për fjetje, ujë, higjienë dhe kujdes mjekësor.
3.4 Të miturit
Gjatë monitorimit morëm kontakt me 6 të mitur. Por në Bllokun e Sigurisë, ku mbahen, nuk arritëm të identifikojmë dhomë të veçantë për fëmijët. Ankesat e administruara lidheshin me kufizimet për kontaktin me familjen dhe avokatin, si dhe mungesën e psikologut gjatë marrjes në pyetje.
Standardi: Neni 37 i Konventës për të Drejtat e Fëmijës kërkon trajtim njerëzor dhe mbrojtje të posaçme për çdo fëmijë të privuar nga liria.
E drejta për tubim paqësor garantohet me Kushtetutë. Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen. Policia ka detyrimin të garantojë sigurinë publike dhe, në çdo ndërhyrje, të përdorë forcën vetëm kur është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale.
Nga Policia e Shtetit kërkojmë:
Nga Ministria e Brendshme kërkojmë:
Nga Ministria e Shëndetësisë kërkojmë:
Avokati i Popullit do të vazhdojë të monitorojë zbatimin e këtyre kërkesave. Kur verifikohen përgjegjësitë, do të kërkojmë marrjen e masave ndaj punonjësve të policisë dhe do t’i referojmë në prokurori rastet kur konstatojmë shkelje të ligjit dhe përgjegjësi penale nga ana e tyre.
Gjejmë rastin të ftojmë çdo qytetar që pretendon se i janë cenuar të drejtat gjatë protestës ose shoqërimit në polici t’i drejtohet Avokatit të Popullit me ankesë individuale: përmes numrave tanë të telefonit, faqes zyrtare apo rrjeteve sociale. Konfidencialiteti garantohet.
Top Channel