Shehaj publikon dëshmitë e studentëve të dhunuar: Pranoje! Më gjuanin pas koke

21/10/2026 22:11

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka publikuar disa dëshmi të reja tronditëse nga studentë të shoqëruar në Komisariat dhe të dhunuar nga forcat e policisë.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale nga Shehaj, dëgjohet dëshmia e një djali të ri i cili tregon se është gjuajtur në kokë nga policia dhe se sipas tij ka shenja dhune edhe në trup. Ndër të tjera i riu denoncon edhe inponimin e forcave policore ndaj të riut për të pranuar se ai ka gjuajtur me molotovë në protestë, gjë të cilën ai e mohon ta ketë bërë.

‘-Vijnë e na rrafin e na dhunojnë sepse po kërkoj të drejtën time. Edhe veç mbas koke më gjuante, kupton, më shumë. Edhe më thonte mua tani që të pranoj unë që ka gjuajtur me ca janë ato…

-Molotov.

-Se nuk ua di emrin atyre. “Pranoje”, ja bënte atje brenda. Dhe kur hymë me atë çunin, thanë: “I respektoni këta, i bini.” Më kapën dhe gjithë kohën më kanë gjuajtur mbrapa koke. Biles, të shohësh, më kanë bërë gjak’, dëgjohet në dëshminë e të shoqëruarit.

Sipas Shehajt, shoqërimi apo arrestimi i të rinjve protestues, është bërë pa asnjë provë nga policia.

‘Kanë ndaluar dhe kanë arrestuar të rinj dhe të reja që thjesht kanë protestuar në mënyrë totalisht paqësore.
I arrestojnë pasi protesta mbaron, i ndjekin nëpër rrugica, i dhunojnë dhe pastaj i sjellin këtu. Pa asnjë provë, në shkelje të ligjit. Folëm me disa prej tyre, të gjithë pothuajse studentë’, shprehet Shehaj.

Shehaj ka qenë në Komisariatin e Policisë i shoqëruar edhe nga deputeti tjetër i Partisë Mundësia, Erald Kapri i cili ka treguar rastin e tre djemve të rinj studentë të dhunuar gjithashtu, të cilët kanë rrëfyer edhe presionet për të hapur telefonat dhe për të treguar ato që kishin filmuar.

‘Është Françesk, Fernando, Eugen…,22, 19 e 22 vjeç. Janë rrëmbyer, janë rrahur në furgonë nga Operacionalja.

U kanë bërë presion që të tregojnë kodin e telefonit, në mënyrë që të kontrollojnë se çfarë kanë bërë në telefon, kur ata kanë refuzuar i kanë rrahur më shumë. I kanë lënë tani në qeli aty, pa lajmëruar ende familjarët, pa lajmëruar asnjë avokat. Po lajmërojmë ne avokat për ta dhe njëkohësisht po kujdesemi që familjarët të mësojnë të vërtetën dhe të vijnë që të kujdesen për fëmijët e tyre’, shprehet deputeti Kapri në videon e postuar në rrjetet sociale.

Më herët, kreu i Mundësia, Agron Shehaj publikoi denoncimin edhe të një vajze protestuese e cila tha se ishte ndjekur nga policia deri në shtëpinë e saj dhe se e kishin ndalur duke i kërkuar llogari se ku po shkonte.

Top Channel