Protestat e dhunshme/ Policia arreston 11 persona, mes tyre dy të mitur. Ndalohet edhe 33-vjeçari për sulmin ndaj Komisariatit nr.3
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, ku foli për protestat e ditëve të fundit në Tiranë, duke i cilësuar ato si akte dhune të organizuara dhe të lidhura, sipas tij, me elementë të brendshëm dhe të jashtëm.
Rama garantoi se situata është nën kontroll dhe paralajmëroi masa të reja për identifikimin dhe ndëshkimin e personave që kanë shkaktuar dëme në pronën publike dhe private.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se po përgatitet një paketë e re masash, që do të përfshijë përgjegjësi financiare për familjet e të miturve që kryejnë akte vandalizmi, si dhe përdorimin e teknologjisë për identifikimin e protestuesve të maskuar. Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te politikat e strehimit për studentët dhe të rinjtë, si dhe te nevoja për dialog dhe distancim nga dhuna.
“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju pas një histerie dhune që krijoi një trysni shumë të madhe mbi njerëzit e mbi të gjitha që mori peng Tiranën duke krijuar në të njëjtën kohë edhe idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë.
Natyrisht që për ne nuk ka asnjë dyshim. Kjo është një dhunë e orkestruar. Është një dhunë e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Është një dhunë e lidhur edhe me çka ndodh në qytete të tjera, në kryeqytete të tjera të Europës, përmes një lëvizje anarkiste neo-komuniste e cila quhet Antifa dhe njëkohësisht edhe pjesësh të tjera të radikalizuara të rinisë, por ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës. Vajza dhe djem që janë të ekstremizuar dhe që ulërasin, bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës apo si në kohën e pasluftës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve dhe i periferive që mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar, por njëkohësisht edhe të subjekteve të tjera politike. Dhe të gjitha këto së bashku pastaj kanë një mbështetje të jashtëzakonshme, të provuar dhe që provohet dita ditës nga forca të huaja të interesuara për të destabilizuar Shqipërinë dhe të interesuara për të destabilizuar edhe Europën në tërësi.
Natyrisht që këta elementë të bashkuar në një front të vetëm nuk janë studentët, nuk janë pjesa e shoqërisë që ka të gjitha arsyet e veta legjitime për të shprehur pakënaqësi, për të protestuar, për të kërkuar ndryshim, për të kërkuar shumëçka tjetër.
Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës. Fatkeqësisht ka njerëz gjithmonë e më pak për hir të vërtetës, po sidoqoftë ka njerëz si rasti i kinse pedagogëve të universitetit, një pjesë shumë e vogël e pedagogëve në tërësi, së bashku me të tjerë të përzier aty që i bëjnë jehonë, i japin mbështetje dhe që nuk bëjnë asgjë për të distancuar nga dhuna, gjë që pastaj e merr të plotë jehonën edhe në ekrane ku për fat të keq himnizohet dhuna dhe sulmohet në bllok shteti përmes sulmeve me policinë.
E bëj këtë panoramë sepse është shumë e rëndësishme të kuptohet që çfarë po ndodh nuk ka asnjë lidhje me fantazmat e të kaluarës, nuk ka asnjë lidhje me mos o Zot 97-ën, nuk ka asnjë lidhje me ato momente dramatike kur gjëja që e mishëron djersën dhe mundin e njerëzve, paraja u vu nën presionin e tmerrshëm të rrënojave dhe të pasojave të mashtrimit.
Sot është krejt tjetër. Sot jetojmë në një botë paralele njerëzish të cilët duan të na imponojnë me gurë, duan të na imponojnë me zjarr, duan të na imponojnë me kërcënime, me sharje, me trysni të gjithanshme atë botën e tyre në një perimetër të qendrës së Tiranës që është kthyer si në një skenë të një filmi horror ku shfaqen njerëz me kapuç të maskuar edhe përballen me Policinë e Shtetit dhe ku Policia e Shtetit bën natyrisht punën dhe rezistencën e vetë.
Në ndërkohë që, jashtë këtij perimetri patjetër që ka një Shqipëri e cila ka halle, e cila ka probleme, e cila ka nevoja dhe e cila kërkon me të drejtë që shumëçka të shkojë më mirë, por të gjitha këto duhet të vlejnë si një panoramë për të pasur një durim të madh edhe një qetësi maksimale në të gjitha institucionet dhe pa diskutim edhe në këtë institucion këtu dhe në institucionet e rrjetit të bankave të cilat janë gardiane dhe garante të kursimeve dhe të investimeve të shqiptarëve.
Kështu që, jam këtu për t’ju shprehur të gjithë solidaritetin lidhur me këtë moment kaq të rëndësishëm, kritik që po kalojmë. Jam këtu për t’ju thënë që kjo do kalojë, por ne nuk do harrojmë dhe ka shumë detyra që dalin përpara nesh si qeveria e Republikës së Shqipërisë ka detyra për të adresuar problematikat e atyre që janë në protestë ose ishin në protestë paqësisht, por dhe të shumë të tjerëve që i mbështesin ata që janë në protestë, por jo dhunën, jo gurin. Jo gurin që ka thyer xhamat e Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në ’97-ën se nuk kishte banka të tjera. Bankat e tjera ishin Sudja me Xhaferin që s’kishe çfarë të sulmoje më se i avulluan lekët e shqiptarëve. Banka e Shqipërisë nuk është prekur as në ’97-ën dhe sot është e gjuajtur me gurë.
Ne do t’i adresojmë problemet duke i nxjerr një për një detyrat, detyrat që kanë të bëjnë me avancimin e mëtejshëm të ligjit që sot në qeveri e kemi kaluar për Parlamentin, për strehimin social të përballueshëm, ku sigurisht do të na duhet patjetër edhe bashkëpunimi me ju. Është një ligj i ri që adreson edhe problematikën e studentëve dhe e adreson problematikën e studentëve sepse qysh në programin e qeverisë dhe pastaj një muaj e kusur më parë ne materializuam këtë draft duke krijuar një qasje krejt të re në raport me rritjen e çmimeve dhe me pamundësinë e studentëve për të paguar, pa ju marrë tërësisht frymën prindërve, qiratë në Tiranë. Kështu që qeveria do të futet për të paguar 50% të qerasë për të gjithë ata studentë të cilët i plotësojnë kushtet që janë të lidhura natyrisht me kriteret, studimet etj.
Nga ana tjetër, janë pjesë të tjera të ligjit që lidhen me mbështetjen me kredi, me interes zero për çiftet e reja, për një apartament deri në një çmim të caktuar dhe pastaj për kredi me interes 3% për një apartament deri në një çmim të caktuar, për profesionistët e rinj, për shërbëtorët e rinj të shtetit, për ata të cilët hapin iniciativat e tyre, start up-et, bizneset e vogla etj, dhe që duan ta bëjnë jetën këtu në Tiranë. Është një ligj i cili sjell mbështetje për disa mijëra apartamente në vit në Tiranë, aty ku është dhe kjo sfidë më e madhe.
Nga ana tjetër sigurisht që ne e shohim me shumë rëndësi që të rrisim buxhetin për të rinjtë për sa i përket politikave të punësimit, për sa i përket mundësive për punë. Të gjithë ata të rinj që duan të punojnë, të gjithë ata të rinj që duan të shkollohen, të gjithë ata të rinj që duan të imponohen me talent, me dije dhe me punë, janë ata të cilët janë shqetësimi im më i madh dhe janë objekt i këtyre detyrave dhe i këtyre mësimeve dhe ne së bashku me bankat do të punojmë për të vënë në dispozicion financa, ku patjetër siç po bëjmë me programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili po ecën edhe ju falenderoj për mbështetjen tuaj dhe kërkoj më shumë mbështetje nga ju, ku plot të reja dhe të rinj që kanë sipërmarrje të vogla kanë filluar dhe po bëjnë aplikime për të marrë më shumë financim me garanci nga shteti, të bëjmë edhe për pjesën e strehimit, të bëjmë dhe për pjesët e tjera, por të gjitha këto janë njëra anë medaljes.
Ana tjetër e medaljes është që të gjithë ata që kanë ngritur dorën kundër shtetit, që kanë ngritur dorën kundër policisë, që kanë dëmtuar pronën publike dhe private, do ta kenë hijen e shtetit nga pas deri kur të shlyejnë dëmin që kanë bërë.
Juve besoj e keni parë, Franca doli me paketën e vetë, Italia doli me paketën e vetë. Ne kemi bashkëpunuar me të dyja palët për paketën tonë, e cila ka edhe disa specifika, sepse këtu siç thashë nuk është vetëm çështje e Antifës, e flamës së Antifës, shpallur organizatë terroriste nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Nuk është këtu vetëm çështja e pagesave nën dorë të subjekteve të caktuara dhe të krimit të organizuar për djem të çoroditur periferish, për të mitur që vijnë dhe ngrenë gurin. Këtu ka dhe ndërhyrje malinje të lidhura me pozicionin e Shqipërisë dhe të lidhura për fat të keq edhe me një përpjekje djallëzore për të yshtur urrejtje fetare. Në këtë Republikë ku thesari më i madh që kemi është bashkëjetesa harmonike e të gjitha feve. Thesari më i madh që kemi është tradita shqiptare e Zotit dhe e mikut. Shqipëria është dhe do të jetë dhe duhet të jetë gjithmonë mik me këdo që nuk ka qëllime që ta ndalojë apo që ta çojë në rrugën e errësirës.
Të gjithë ata, të gjitha ato vende, të gjithë ato shtete që nuk kanë këtë qëllim ndaj Shqipërisë duhet të jenë miqtë tanë, të gjithë. Dhe këtu duhet të sjell në vëmendje dhe dua të shpreh neverinë time për të gjithë ata të cilët i fryjnë zjarrit të urrejtjes së antisemitizmit, për të gjithë ata që ngatërrojnë gjëra që nuk duhen ngatërruar. Sepse ne jemi një vend mik i hebrenjve. Jemi një vend mik i Izraelit siç jemi në mënyrë simetrike një vend mik i Katarit që nuk ka asnjë marrëdhënie me Izraelin, siç jemi një vend mik i Emirateve të Bashkuara, siç jemi një vend mik i Arabisë Saudite që nuk ka asnjë lidhje me Izraelin, siç jemi një vend mik i Turqisë që nuk ka marrëdhënie të mira me Izraelin në këtë moment që flasim. Në ndërkohë që ne jemi një vend i vogël, ne kemi nevojë për miq. Ne kemi nevojë që të rrisim ekonominë. Ne kemi nevojë që të rrisim mirëqenien. Ne kemi nevojë që të jemi një vend ku të gjithë shikojnë një destinacion për turizëm, për investime, një vend ku njerëzit të vijnë, mundësisht të vijnë dhe të jetojnë këtu dhe të investojnë këtu dhe te bëhen pjesë e këtij komuniteti duke sjellë dije, duke sjellë para, duke sjellë eksperiencë.
Ne jemi një vend që Zoti na i ka dhënë të gjitha, por robi nuk e ka lënë të ngrejë kokë dhe që sa herë ngre kokë, sa herë ngjitet pak më lart, bëhet objekt i sulmeve nga brenda dhe nga jashtë.
Po shikoja shifrat e ekonomisë, Po shikoja shifrat e ekonomisë. Janë shifra, të cilat janë shumë inkurajuese për ne. Janë shumë inkurajuese për ne sepse ne fund të ditës, duke i pasur parasysh të gjitha hallet, të gjitha problemet, të gjitha nevojat, të gjithë dëshirën për të pasur më shumë dhe për ta pasur më shpejt, jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin tonë, sepse ne këtu do krahasohemi.., nuk po krahasohemi me 10 vite përpara, kur ishte një Shqipëri krejt tjetër, po krahasohemi me rajonin tonë. Kemi qenë bishti, bishti i kavallit.
Sot jemi aty-aty me ata që ishin shumë e shumë më përpara nesh dhe do vazhdojmë ta rrisim ekonominë.
Ekonomia rritet me punë, nuk rritet me gurë. Ekonomia rritet duke bashkëpunuar, nuk rritet duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit. Ekonomia rritet duke marrë secili përgjegjësitë e veta dhe përgjegjësitë do t’i marrin deri në fund, ata të cilët kujtuan se u bë deti kos, ata të cilët u turrën me gurë e me zjarr mbi bankat me një skenar djallëzor për të nxitur panik, ndërkohë që në sportelet e bankave, nuk ka asgjë për të marrë.
Ju e dini më mirë se unë, e dini më mirë se të gjithë, po këtë e dinë të gjithë ata që kanë dy para mend në kokë duke shkulur automatet për të marrë brenda tyre para, ndërkohë që ato automate janë në shërbim të gjithëve dhe duhet të kthehen një orë më parë.
Por, që të gjitha të kthehen një orë më parë, ne jo vetëm do të nxjerrim një orë më parë paketën e masave, por duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do të fillojmë deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë.
Duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur të rrinë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, sepse do t’i ndjekim këmba-këmbës. Do t’i ndjekim këmba-këmbës përmes syve të teknologjisë.
Dhe ky nuk është një qëndrim për të folur, por është një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën në mend që të largohen nga ajo rrugë një orë më parë. Çdokush që ka një fëmijë të mitur duhet të kujdeset për fëmijën.
E bëri Italia, e bëri Franca. Unë e thashë përpara disa ditësh, do ta bëjmë dhe ne. Do të vijë fatura në familje, do paguajë familja, nuk do marrë më asnjë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronën e tjetrit.
Dhe patjetër që ne do të vendosim në një regjistër të veçantë njerëzit e dhunshëm dhe patjetër që do t’ju mbyllim shumë aksese. Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit dhe natyrisht që do të bashkëpunojmë dhe e kemi nisur punën me vendet e Bashkimit Europian për t’ua ndaluar aksesin në ato vende si njerëz të dhunshëm.
Kështu që, është absolutisht shumë e rëndësishme që të kuptohet që dhuna nuk ka vend dhe nuk ka për të pasur vend në këtë vend.
Ndërkohë që dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik i argumentave, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja, të cilat mund të na shërbejnë siç na shërbyen në protestën e jashtëzakonshme të 2018-ës që ishte një protestë studentësh paqësore, një protestë pedagogësh dhe studentësh, jo një protestë e disave që përpara se të jenë pedagogë janë flamurtarë të një partie opozitare dhe që vijnë edhe thyejnë karriget e dialogut atje tek Kryeministria me gjithfarë njerëzish që s’kanë lidhje fare me universitetin dhe që nuk distancohen nga dhuna.
Nga protesta e 2018-ës, ne nxorëm mësime, bëmë paktin për universitetin, kemi plot rezultate, kemi ndryshuar tërësisht situatën në shumë drejtime, ka plot akoma për të bërë dhe po punojmë. Çdo ministri sipas marrëdhënieve që ka me një universitet apo me dy në sektorë të ndryshëm, po punon për çfarë është hapi tjetër në momentin kur kjo histeri t’ia lërë vendin logjikës dhe t’ia lërë vendin ballafaqimit, sepse nëse ka një garë për të qenë kritik ndaj qeverisë, për të qenë kritik ndaj administratës, unë jam gati të hyj në garë dhe pretendoj ta fitoj garën me të gjithë kritikët e arsyeshme, por nuk kam asgjë për të ndarë me kritikët e mediave tradicionale të cilët nxisin dhunë.
As në Francë, as në Itali, as në Belgjikë, as në Portugali nuk ka ekrane që të nxisin dhunën dhe që të mos distancohen nga dhuna. Në Itali ka një emër për ata që bëjnë dhunë. Është një emër që e përdorin të gjithë gazetarët italianë në të gjitha mediat: “vandalët e vegjël”. Ndërsa këtu janë heronjtë e lëvizjes pseudostudentore.
Nuk dua të zgjatem më shumë, por dua t’ju them edhe diçka tjetër, sepse është shumë e rëndësishme. Ne kemi qenë qysh në ditën e parë të vetëdijshëm që kjo do të jetë një sfidë e madhe dhe një test i madh karakteri dhe dinjiteti për shtetin.
Kemi qenë të vetëdijshëm dhe kemi pasur edhe informacion edhe për mundësinë e skenarit më të këqinj për të provokuar një tjetër ‘’21 janar’’, për ta provokuar policinë, për të provokuar mbrojtësit e institucioneve për të reaguar në mënyrë disproporcionale duke, largqoftë, krijuar një situatë simetrike me ‘’21 janarin’’. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm për këtë.
Kemi neutralizuar edhe sulm me dron, me eksploziv ndaj kryeministrisë, por pikërisht me këtë vetëdije ka qenë një vijë e kuqe shumë e qartë për të gjithë. Edhe ata që janë me kapuç janë fëmijët e këtij vendi. Janë të verbër, janë të manipuluar, janë të braktisur, ndoshta ndonjëri edhe nga vetë familja e vet, por janë fëmijët e këtij vendi dhe është e frikshme të shikosh se si nëpër ekrane njerëz që marrin përsipër të përfaqësojnë opinionin publik, përfaqësojnë zërin e shoqërisë përballë qeverisë akuzojnë Policinë e Shtetit për dhunë disproporcionale.
Në Francë raporti është një me 2.5, pra një polic i plagosur, 2.5 protestues apo qytetarë të lënduar.
Në Itali raporti është një me dy. Në protesta të tjera që i nxora dje përpara, në Spanjë, në Gjermani raporti ka shkuar dhe një me katër, dhe një me pesë, dhe një me gjashtë, pra shumë më pak policë sesa protestues.
Në Shqipëri është raporti i përmbysur: në çdo tre të lënduar, dy janë policë përfshirë protestues dhe kalimtarë të pafajshëm. Si është disproporcionale kjo? Çdo tre të lënduar dy policë. Pra jemi totalisht në mbrojtje si shtet. Policia është në mbrojtje dhe kush ankohet se ishte aty paqësisht, duhet të ikë dhe të distancohet nga ata që janë me gurë dhe ata që janë me maska dhe jo t’u shkojë nga mbrapa se policia nuk futet në turmë për të bërë balet. Po për të goditur ata që e godasin dhe kush rri rreth tyre, është me ata. Nuk është me paqen dhe me protestën e qetë. Dhe patjetër që ne do të saktësojmë edhe diçka tjetër.
Pjesëmarrja në tubim i mbuluar do të jetë në vetvete një konflikt me ligjin. Thjesht mbulimi. Kush nuk do që të marrë përgjigje me gaz lotësjellës, nuk ka nevojë fare të mbulohet se mjafton të mos gjuajë me gurë, mjafton të mos bëjë dhunë, mjafton të mos thyejë dhe të vandalizojë edhe nuk ka nevojë fare as për gaz lotësjellës, as për asgjë.
Dhe për fat të mirë sot nuk jemi vetëm, është e gjithë Europa demokratike nën këtë sulm. Shqipëria është pjesë e saj dhe ne tanimë i kemi edhe shembujt. Kemi pritur t’i bëjnë ata më parë që mos thoshin që po shtrëngojmë liritë demokratike.
Shumë faleminderit edhe njëherë për sado mirëkuptimin që na jepni në këtë situatë. E di që keni pasur dëme. E di që ju është prishur ajo ora e punës së përditshme, por di po ashtu që gjërat janë tërësisht nën kontroll edhe që po rimerrni aktivitetin dhe që po vazhdon normalisht puna.
Solidaritet me ju, respekt për ju dhe jini të bindur që nuk ka asnjë shans, në asnjë formë që dhuna dhe trysnia jo demokratike t’i imponohet vendit edhe t’i imponohet kryeqytetit, dhe t’i imponohet institucioneve dhe t’i imponohet dhe mënyrës suaj dhe punës suaj të funksionimit normal”, u shpreh Rama.
Top Channel