Drejtuesit arsimorë do të kalojnë në sitë. Vlerësimi vjetor i drejtorëve në shkolla është detyrim ligjor, por synohet që ky proces të bazohet tashmë në dëshmi që zyrat vendore arsimore të vendosin për përshtatshmërinë e vazhdimit ose jo të detyrës.
Top Channel ka siguruar protokollin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, ku përcaktohet se brenda muajit maj të çdo viti, do të zhvillohen pyetësorë me nxënësit, mësuesit, shërbimin psiko-social dhe oficerin e sigurisë, të hartuara nga ASCAP-i për vlerësimin e mirëqenies së shkollës.
Ndërsa brenda muajit korrik të çdo viti do të kryhen anketa nëpërmjet regjistrit online SMIP për vlerësimin e performancës së drejtorëve nga Këshilli i Prindërve, i cili do të plotësohet në mënyrë digjitale.
“Vlerësimi mbështetet në gjashtë standardet profesionale të drejtorit, të cilat përfshijnë zhvillimin e vizionit dhe strategjisë, drejtimin në ekip për zbatimin e kurrikulës dhe të procesit mësimor, menaxhimin e burimeve njerëzore, financiare dhe materiale, drejtimin e ndryshimeve transformuese në përputhje me kontekstin ligjor, partneritetin me prindërit dhe komunitetin, si dhe lidershipin pedagogjik si model i zhvillimit të vetes dhe të tjerëve”, thuhet në Ministrinë e Arsimit.
Për të garantuar objektivitetin dhe vlefshmërinë e procesit, vlerësimi i drejtuesve të institucioneve arsimore do të udhëhiqet nga deklarimet. Protokolli parashikon verifikimin e dokumenteve, si të dhënat statistikore mbi performancën e nxënësve në provimet kombëtare, statistikat e frekuentimit, braktisjes dhe disiplinës, planet strategjike, raportet financiare, rezultatet e vlerësimeve të jashtme të institucionit, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me funksionimin dhe arritjet e institucionit.
Kjo qasje thuhet në raport mundëson që përfundimet e vlerësimit të lidhen drejtpërdrejt me rezultatet konkrete të punës së drejtorit dhe me ndikimin e tij në zhvillimin e shkollës, për të kuptuar edhe sa e sigurt, e hapur dhe cilësore është shkolla.
Top Channel