Kontratat paramartesore, ende tabu në Shqipëri, pse çiftet hezitojnë të ndajnë pasurinë me marrëveshje?

15/11/2026 12:21

Kontratat paramartesore po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në diskutimet mbi martesën dhe divorcin, edhe pse në praktikë mbeten pak të përdorura.

Ato u japin partnerëve mundësinë të përcaktojnë paraprakisht regjimin pasuror, duke shmangur mosmarrëveshjet në rast divorci apo në marrëdhëniet financiare me palë të treta.

Kontrata paramartesore nuk prek vetëm aspektin ekonomik e juridik, por dhe atë emocional e social. Ajo përcakton mënyrën se si do të bëhet administrimi dhe ndarja pasurore dhe ndonjëherë shihet si formë mosbesimi mes palëve, por kur kontrata ndërtohet mbi transparencën, vetëbesimin dhe vullnetin e lirë të dy partnerëve ajo është një përgjegjësi e përbashkët.

Për këtë çështje, qytetarët kanë qëndrime të ndryshme. Disa e kundërshtojnë dhe e shohin si shenjë mosbesimi, madje refuzojnë të flasin për të, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një garanci për mbrojtjen e interesave të të dy bashkëshortëve.

Pavarësisht se rastet e lidhjes së kontratave paramartesore nuk mungojnë, përdorimi i këtij instrumenti ligjor në Durrës mbetet i kufizuar.

Tritan Hamitaj, avokat në Durrës thotë: Nuk ka gjetur shumë zbatim gjatë këtyre 20 viteve, pasi janë 2 situata penguese. Mungesa e informacionit nga qytetarët që ekziston kjo mundësi dhe mentaliteti, sipas të cilit nëse njëri nga çifti do t’i propozojë partnerit ta rregullojnë pasurinë me kontratë, duket sikur nuk ekziston fryma e besimit dhe martesa nis me dyshim dhe do të nis krisja e marrëdhënies bashkëshortore pa nisur mirë.

Medina Papoj, eksperte sociale shprehet: Kontratat paramartesore duhet të shihen si një instrument mbrojtës. Në asnjë moment nuk duhet të shihen si një mekanizëm për të favorizuar njërën palë apo palën tjetër.

Megjithëse ende pak të përhapura, kontratat paramartesore mund të fitojnë më shumë terren përmes informimit dhe ndërgjegjësimit qytetar. Ekspertët vlerësojnë se njohja e këtij instrumenti ligjor mund të ndihmojë në parandalimin e konflikteve dhe garantimin e qartësisë në marrëdhëniet pasurore mes bashkëshortëve.

Top Channel