Vigjilja e kësaj fundjave në futbollin gjerman rikthen përballjet e nxehta për mbrojtësin Mërgim Mavraj.
Lojtari që u rikuperua nga dëmtimi në shpatull, do të jetë në fushë në ndeshjen që Grojter Fyrth do të luajë kundër Nurenbergut në Bundesligën me dytë, por nëse i duhet të rikujtojë ndeshjet më të tensionuara, futbollisti kuqezi nuk ka aspak dyshime.
“Jam mësuar me beteja. Luajmë në shtëpi dhe është një përparësi e madhe për ne, pasi kemi dhe tifozët. Ndeshja e 2014-ës mes Shqipërisë dhe Serbisë, ishte më shumë se një derbi apo luftë. Na larguan nga stadiumi me helikopter. Ky është një nga derbit më të vogla që po luaj por janë 90 minuta krenari, për klubin dhe qytetin”, u shpreh Mërgim Mavraj, futbollist i Greuther Furth.
Një tjetër dëmtim, i dyti radhazi në prag të grumbullimit të kombëtares së Shqipërisë, detyroi Mërgim Mavrajn që të humbasë dy sfidat ndaj Andorrës dhe Francës. Por Mavraj premton se do të mbetet në orbitën e përfaqësueses, pavarësisht konkurrencës së shtuar.
Mbetet ende e paqartë nëse Mavrajt do t’i besohet një fanellë si titullar të dielën ndaj Nyrenbergut. Talenti Maksimilian Bauer e zëvendësoi veteranin në qendër të mbrojtjes, por nuk pati sukses në humbjen 3-2 kundër Zand’hausen.
Top Channel