Mormonët amerikanë kanë vite që e kanë kthyer komunitetin e tyre në Meksikë në një fortesë, ku kanë vendosur roja të armatosura për t’u ruajtur nga kartelet, me të cilat kanë hyrë në luftë prej vitesh.

Javën e shkuar, një familje mormonësh, gjashtë fëmijë e tre nëna, u vranë dhe u dogjën në tre makina të ndryshme teksa shkonin në një dasmë. Por kjo ngjarje ishte vetëm një nga përplasjet në një histori të gjatë rrëmbimesh dhe ekzekutimesh të frikshme.

Mormonët në kufirin meksikan me SHBA-të, LeBarons, janë një komunitet poligamësh, ku burrat martohen me shumë gra. Ata u vendosën në territorin meksikan kur nisën të përndiqen nga ligji në SHBA, në vitet 1880, pasi qeveria nuk e lejonte stilin e tyre të jetës.

Ushtria meksikane duke ruajtur pronat e Mormonëve.

Për herë të parë u ngatërruan me kartelet në vitin 2009. Makinat e tyre të mëdha dhe shtëpitë e bukura bënin kontrast në zonën e varfër ku ishin vendosur, dhe tërhiqnin vëmendjen e grupeve kriminale.

Në maj të vitit 2009, kartelet rrëmbyen një baba teksa punonte tokën, ndërsa djalit të tij i thanë të shkonte e t’u thoshte të afërmëve që do ta lironin vetëm po t’u jepnin 1 milion dollarë. Por për mormonët, po të paguanin, do të thoshte që karteleve do t’u bëhej rrugë e do të vazhdonin me rrëmbime e të kërkonin para pa fund, ndaj kontaktuan me shtetin.

Policia vuri helikopterë në dispozicion dhe vendosi postblloqe, dhe burri i marrë peng u lirua pas tetë ditësh. Pasi morën vëmendje nga media për thirrjet kundër karteleve, Benxhamin LeBaron ngriti një shoqatë, SOS Chihuahua, që do të ndihmonte banorët meksikanë të mbroheshin nga krimi i organizuar. Sigurisht, kjo nuk i shpëtoi syrit të karteleve.

20 anëtarë të armatosur të karteleve, të veshur si policë, hynë brenda komunitetit mormon, mes fëmijëve të tmerruar, dhe morën peng Benxhaminin e kunatin e tij, Luis Uidmarin. Pasi i torturuan,  i ekzekutuan në mënyrë mizore dhe trupat ua hodhën të copëtuar.

Mormonët fillimisht donin luftë, premtuan të vrasin 10 kriminelë droge për çdo mormon që vritej. Por të kufizuar nga ligjet meksikane që ndalojnë mbajtjen e armëve, dhe pasi kuptuan që kjo luftë do të çonte në hasmëri të pafundme, me vrasje pas vrasjesh, e me fëmijët që kishin në koloni, mormonët vendosën ta kthejnë komunitetin e tyre në një fortesë të izoluar. Policia meksikane, ndërkohë, arrestoi kreun e dyshuar të grupit, Hoze “El Rikin” Eskaheda.

Mormonët futën armë fshehurazi nga SHBA-të dhe ndërtuan një kullë vrojtimi prej ku vëzhgojnë ditë e natë që të ruajnë komunitetin. Policia i toleroi për armët, pavarësisht ligjeve meksikane, dhe kolonia u kthye në një kamp pothuajse ushtarak. Por, siç tregoi masakra e javës që shkoi, as këto masa nuk zgjidhën gjë.

Ushtria patrullon rregullisht zonën ku janë mormonët

Ende nuk dihet me saktësi se pse ndodhi masakra. Zona është një territor lufte midis dy karteleve të ndryshme. Nëse ata shohin makina të mëdha e të shtrenjta që lëvizin në grup, në një zonë të varfër, menjëherë mendojnë se janë rivalët që kanë ardhur t’i vrasin.

FOTO GALERI
4/13
Të afërmit e mormonëv të vrarë, në varrim. Për herë të parë u ngatërruan me kartelet në vitin 2009. Makinat e tyre të mëdha dhe shtëpitë e bukura bënin kontrast në zonën e varfër ku ishin vendosur, dhe tërhiqnin vëmendjen e grupeve kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA