Sulm i armatosur ndaj aktorit të Bollywood-it/ Tiger Shroff i shpëton plumbave, plagoset shoferi i tij

19/10/2026 08:01

Aktori i njohur i Bollywood-it, Tiger Shroff, 36 vjeç, i ka shpëtuar një sulmi të armatosur në Mumbai të Indisë, pasi persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj automjetit me të cilin ai po udhëtonte të dielën në mbrëmje, më 18 tetor.

Aktori nuk pësoi lëndime, ndërsa dy persona, mes tyre shoferi i tij, mbetën të plagosur nga të shtënat. Ngjarja ndodhi në zonën Juhu të Mumbait dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e figurave të njohura në Indi.

Sipas raportimeve të mediave lokale, Shroff po largohej nga një klub futbolli, ku kishte shkuar për të luajtur, kur persona të armatosur iu afruan automjetit dhe hapën zjarr në një distancë të shkurtër.

Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë të paktën dy persona të armatosur duke qëlluar disa herë drejt makinës, pranë së cilës ndodheshin edhe qytetarë të tjerë.

Shoferi i aktorit mes të plagosurve, policia heton përfshirjen e një bande kriminale

Sipas policisë së Mumbait, nga të shtënat u plagosën dy persona. Përveç shoferit të Tiger Shroff, mediat lokale raportojnë se i plagosuri i dytë ishte një shofer taksie me tre rrota, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes.

Shoferi i aktorit u dërgua për trajtim mjekësor, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Oficerët po mbledhin dëshmi dhe po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të rindërtuar dinamikën e sulmit.

Sipas raportimeve të mediave indiane, autoritetet po shqyrtojnë edhe një pretendim për marrjen e përgjegjësisë nga organizata kriminale e lidhur me Lawrence Bishnoi. Megjithatë, deri më tani, vërtetësia e këtij pretendimi nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Sulmi u dënua nga zëvendëskryeministri i shtetit të Maharashtras, Eknath Shinde, i cili vizitoi aktorin pas incidentit.

“Këto përpjekje për frikësim nuk do të tolerohen dhe ne do t’i japim fund këtij lloj huliganizmi”, deklaroi ai.

Sulmi rikthen shqetësimet për sigurinë e yjeve të Bollywood-it

Ngjarja e fundit rikthen vëmendjen te sulmet e armatosura ndaj figurave publike në Indi. Në vitin 2024, policia arrestoi dy persona të dyshuar për përfshirje në të shtënat me armë zjarri ndaj banesës së aktorit Salman Khan.

Po atë vit, politikani Baba Siddique u vra nga persona të armatosur në Mumbai, ngjarje që shkaktoi reagime të forta dhe shqetësime për aktivitetin e grupeve kriminale.

Tiger Shroff është një nga emrat e njohur të kinematografisë moderne indiane. Ai debutoi në film në vitin 2014, me prodhimin romantik Heropanti, dhe më pas u bë i njohur për rolet e tij në filma aksion. Përveç aktrimit, ai është i apasionuar pas futbollit, aktivitet që e kishte çuar edhe në klubin nga i cili po largohej në momentin e sulmit.

Top Channel