Rusia liron 74-vjeçarin amerikan të burgosur për luftimet në Ukrainë, Trump: Po kthehet në shtëpi
Deputetja australiane Helen Haines ka humbur të dyja këmbët pasi u godit nga një makinë në atë që policia e cilëson si sulm të qëllimshëm.
Bashkëshorti i saj, Phil Haines, konfirmoi se ajo ka pësuar lëndime të rënda, por ndodhet në gjendje të mirë mendore.
Ngjarja ndodhi të hënën pasdite, jashtë zyrës elektorale të deputetes në Wangaratta, rreth 240 kilometra në verilindje të Melburnit, Australi. I dyshuari, 43-vjeçari Brendan Nugent, u arrestua në vendngjarje dhe përballet me disa akuza penale.
Në një deklaratë për mediat në Melburn, ku Helen Haines po merr trajtim mjekësor, bashkëshorti i saj e përshkroi ngjarjen si një incident të rëndë, duke theksuar se fakti që ajo ka mbijetuar është një lajm i mirë për familjen.
“Rruga e Helenës drejt shërimit do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne e dimë se ajo është një luftëtare”, u shpreh Phil Haines, duke falënderuar stafin mjekësor dhe të gjithë ata që kanë shprehur mbështetjen e tyre.
Brendan Nugent u paraqit të mërkurën për herë të parë në gjykatë, ku u përball me tri akuza: drejtim të rrezikshëm të automjetit që shkakton lëndime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda dhe dëmtim të një zyrtari publik të Komonuelthit.
Ai nuk kërkoi lirimin me kusht dhe pritet të paraqitet sërish në gjykatë në muajin shkurt. Sipas dokumenteve gjyqësore, ndaj tij janë ngritur gjithashtu akuza për kultivim dhe posedim kanabisi. Policia ka bërë të ditur se mund të shqyrtohen edhe akuza të tjera, përfshirë atë të tentativës për vrasje.
Sipas policisë, Nugent nuk ishte më parë në vëmendjen e autoriteteve dhe nuk kishte pasur informacione për kërcënime ndaj deputetes përpara incidentit. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu nëse përdorimi i drogës ose i ilaçeve mund të ketë pasur ndikim në ngjarje dhe nëse ekzistonte ndonjë lidhje personale mes të dyve.
Familja e të dyshuarit ka deklaruar më herët se kishte qenë prej kohësh mike me Helen Haines, duke e cilësuar ngjarjen si shkatërruese dhe të paimagjinueshme.
Top Channel