“Studentët kanë të drejtë të ngrenë zërin”, mesazhi i të rinjve nga studio e “Ftesë në 5”: Dhuna nuk është zgjidhja, duhet dialog

14/10/2026 22:26

Ditën e sotme në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon u diskutua për protestën e studentëve, e cila ka përshkallëzuar gjatë këtyre ditëve. Studentët u kanë vënë flakën institucioneve shtetërore dhe jo vetëm.

Në një lidhje live nga Franca ishte aktivistja dhe juristja, Alba Bajraktari, e cila tha se ‘nuk ka njeri me mend në kokë që thotë dhuna është e mirëpritur, shyqyr që e kemi’.

“Është e frikshme për këdo. Por duhet kuptuar në çfarë konteksti po vjen, kur u realizua kjo, cila është tabloja e madhe dhe kush mban përgjegjësi për këtë. Nuk mundet të drejtojmë gishtin dhe të bëjmë përgjegjës qytetarët shqiptarë, rininë shqiptare dhe asnjëherë të kuptojmë se çfarë po bëjnë këta pushtetarë që të stabilizojnë situatën”, tha Alba Bajraktari.

Ndërkohë në studio ishte i pranishëm aktivisti politik rinor, Antonio Lushi, i cili u shpreh se pamjet që janë bërë virale nga kjo protestë është shqetësuese. Sipas tij, duhet të arrihet një dialog i mirë.

“Them se shqetësimet ekzistojnë, jemi shoqëri demokratike dhe duhet të protestojmë. Tregon që rinia nuk refuzon dhe nuk pranon më, duhet të arrihet në një dialog më mirë. Por të shihen të gjitha mekanizmat e mundshme që të mos ngelet kështu. Pamje shqetësuese. Dhuna që vjen nga të dyja palët. Më shqetësuese dhuna që vjen nga uniforma. Për mua, duhet të zbuten gjakrat. Janë në një përballje ballë për ballë. Të rinjtë  janë në një moshë delikate, do doja që për dezinformimin të kenë më kujdes, jo të gjithë të rinjtë janë në shesh, disa nuk kanë mundësi, të tjerë janë kundër. Dhuna nuk është zgjidhje, nuk duhet të shohim këtë në protestë. Nuk duhet të jetë rinia që mund të shohim. Mund të marrin shembull Francën. Kur një gjë e kopjon e merr dhe i përshtat, jo shabllon. Që në ’97 e dimë shkatërrimin dhe dëmin. Dhuna ka sjellë gjithmonë shkatërrim. Nëse nuk pranohet kërkesa e tyre, mendoj se dialogu duhet të bëhet”, tha ai.

Nga ana tjetër Jonas Kepi, këshilltar rinor në Parlamentin Europian, e nisi fjalën e tij me shprehjen që “njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga qeveria, por qeveria nga njerëzit”.

“Për mendimin tim dhuna e djeshme nuk është e tolerueshme asnjëherë. Nuk duhet të tolerohet dhuna. Për një shtet si Shqipëria që do të futet në Bashkimin Europian, nuk tolerohet kjo. Mendoj se protesta po shkon në një direksion tjetër. Palët dhe shteti duhet të dëgjojë të rinjtë. Qeveria duke parë këtë pamje të japë bashkëpunim, jo të japë premtime false. Të rinjtë kanë të drejtë të rebelohen. E them nga zemra që të rinjtë janë rebeli i një shteti. Të rinjtë aty janë e ardhmja e një kombi.

Nuk thashë se duhet të ketë dialog nga të rinjtë, por nga qeveri. Nëse bie qeveria, a do kenë të rinjtë interesat e shtetit dhe jo të vetat në fillim. Lufta nuk fitohet nga një apo dy parti, por në të gjithë duhet të jemi të solidarizuar. Këto janë realisht emocionet e tyre. Të rinjtë në Francë dhe Singapore janë më keq. Unë kam dalë në protestë dhe nuk kam gjuajtur me gurë. Bizneset private nuk duhet të preken, e kanë luftën me qeverinë”, u shpreh Jonas.

Aktivistja, Suela Koçibellinj, u shpreh se i ‘dhemb për të rinjtë që ju kemi hyrë në hak, politika për mbështetjen e tyre kanë lënë shumë për të dëshiruar’.

“Rinia doli prej disa ditësh doli në shesh dhe nuk pati reagim. Një fëmijë të thërret, ngre zërin, qan dhe më pas godet. Kështu eskalon sjellja e një individi kur nuk dëgjohet. Janë aty se e duan ndryshimin. Ata thonë se ‘po protestojmë se nuk duam të emigrojmë’, kjo është thirrje e fortë, e këta të rinj shyqyr që i kemi dhe duhet ti mbajmë fort. Policia duhet të tregohet më profesionale. Policia ka detyrë të mbrojë rendin publik.

Unë vij nga një brez që në ‘97 kam qenë 15 vjeçe. Sot kam artimi së më kujtohet ’97. Kur shoh që krah tyre ka njerëz të ’97 më vjen keq se po abuzojnë me ta. A kanë të drejtë të rinjtë? Po. Kur mendohet që të jepet dorëheqja ne presim të rijnë që e duan vendin e tyre, jo të shkatërrojnë vendin. Nëse ne flasim për asetin njerëzor, prona nuk ka rëndësi. A janë të rinjtë të ballafaquar me heshtje? Po.

Nuk dua që kryeministri apo ministrat e vendit tim të rrinë në heshtje, por të marrin përgjegjësi. Secili prej tyre ka një pikë pakënaqësi, që është mbushur kjo kupë që të rinjtë janë aty. Unë jam pjesë e protestave dhe kam frikë nga dhuna. Dhuna mund të na rrezikojë të rinjtë. Kam aritmi kur shikoj këto pamje. Pse nuk kemi një reagim nga qeveria? Prindërit e tyre i kanë votuar”, tha aktivistja e njohur.

Në një lidhje live nga protesta ishte dhe një studente, e cila u shpreh se nuk ka më vend për dialog, por kanë vetëm një kërkesë, dorëheqje.

Top Channel