LILI SULA

Tango në prill, ndez pasionin nën Hënën e plotë prej nga dashuria lind papritur. Mahnitës, harmonia e tangos në muzikë e figurë; mrekulli, ritmi i shpirtrave të përputhur në stinë lulnimi.

Në tangon e pranverës nuk ka shumë rëndësi të luash saktësisht lëvizjet e detajet e figurës së duhur, por të ndjesh frymëmarrjen e tjetrit, rrahjet e zemrës së tij; melodia e tangos si dhe ligjërimi poetik përfigurojnë vallëzimin e zjarrtë të shpirtrave e më pas të trupave të lidhur. Unik artikulimi i tangos, nuk ka nevojë për kurse, lind befasisht prej shpirti, sapo përballë të jetë njeriu i duhur, i cili tërheq e drejton kërcimin që endet për t’u pëlqyer.

Tango e bjerr fjalën e vlerën e saj, duke e shumëfishuar e ngjeshur në melodi e ritme mes partnerëve plot dashuri për jetën, që në heshtje zënë vend e rrinë përballë në kërkim të tjetrit; kërkim e zbulim, njohje e vetënjohje në dialog me Hënën, me të njëjtën dëshirë. Tango është ligjërim zbulues, pafundësi zbulimesh dhe etje për të mos humbur asnjë shije. E pafuqishme fjala, kur fytyrat e heshtura vëzhgohen e kryqëzohen e marrin e japin dritë deri sa të ndizen në valëzim me një tjetër kod komunikimi; e pafuqishme fjala ndaj ritmit të tangos, që i hap shtegun lektisjes së figurës së shpirtrave të përkitur.

Poezia e A Lamës shkëputet nga vjeshta e dëbora, kapërcen stinët e vetmisë së ftohtë e të përhimtë në jehona erërash të vjetra; përmbyset poetika e saj, gjurmë e së kaluarës zbehet e davaritet e në përhumbje kërkohet harrimi. Në lojën mes kujtesës e harresës vetëpërcaktohet e ardhmja (Kujtesë të mos këtë më, por vetëm të ardhme) në një përfytyrim të bukur kërcim- premtimi mes partnerësh idealë, në një tjetër shtjellë, për të ujitur pemën e sapombjellë.

Jetë e paqtë në strehëza të diellta në këto poezi që lidhen nga ligjërimi erotik si bashkim, gjallëri, mall, kënaqësi, zjarr e frymë zjarri, ëndërr, verë e kuqe, magjepsje, dritë, çudi … E bukur thyerja e ngjyrave dhe e ndjesive me poezitë e mëparshme …. i bukur dhe i fuqishëm artikulimi poetik nga ajo që vdes për fjalë, fjalë të arta shpirti dhe ai, që po aq mjeshtërisht, në heshtje, i mbush me imazhe dhe muzikë. Është tango, romancë e stinës së artë, vallëzim i panjohur më parë, që qenia e pranon ashtu krejt rrëmbimthi …

Top Channel