Njeriu dhe Kryqi

Një poezi plot me pyetje është kjo e Bardhyl Londos! Pyetja në këtë rast është instrument i një mendjeje të hapur apo e një shpirti religjioz. Ajo është një gjendje mendore e kushtëzuar nga semantika e vetë ekzistencës, me raportin e njeriut me natyrën dhe me të ngjashmin e tij me mitin dhe besimin e tij bazik që është Kryqi,  një “kryq që më kujton çdo çast të jetës se gurët janë gati të hidhen mbi mua, se Juda pret me padurim të më tradhtojë dhe Pjetrin nuk e zë gjumi derisa të këndojë këndesi dhe të më mohojë tre herë”!

Umberto Saba ka një shenjë dalluese të poezisë së tij, një çelës leximi për poezinë e vet por edhe të tijën për të eksploruar botën, ajo është një shpend – pula. Çdo poet e ka një të tillë, Bardhyl Londo ka “kryqin”, stigmate e të cilit ndihen në çdo rresht, si bartës misioni, si predikues, si qengj në mes të ujqerve, si gjak që të kujton jetën e dhimbjet e saj, fillimin dhe fundin ! Ai pyet “ Po më thoni: A njihni dikë që të mos e ketë kryqin mbi supe?”. Fjala e krijoi kryqin. Ajo e transmeton atë ndër shekuj. Fjala është Kryqi i tij që e gjakos.

Njeriu dhe kujtesa historike

Gjergj Kastrioti-Hamza Kastrioti dhe Donika janë tre poezi në kapitullin përvjetorit në të cilat burri, tradhtia dhe dashuria shpjegojnë vetveten në një lexim pa hierarki patetike të historisë. “Ti ishe aq i madh sa nuk dinim ku të të fusnim”,  ka shekuj që të hamë e të brejmë sidomos kur vinë përvjetorët” i rrëfen ai përshtypjen e vet Mbretit Gjergj ndërsa Hamzait “vonë e kuptuam: ti ishe vetë ne, ne ishim ti” !

Kurse Donikës “ ..se vetëm në shtrat ajo ishte grua, se vetëm në shtrat nuk ishte Zonjë e rëndë e Arbërisë”. Te “De Oratore” Ciceroni shkruan që “historia është dëshmitare e kohëve, dritë e së vërtetës, jetë e kujtesës, mësuese e jetës”. Londo e di këtë e nga poezia e tij mbase do të na thotë që, memoria është njohje e një të shkuare që na lejon të jetojmë e interpretojmë të tashmen tonë nën pulsimin e ndërgjegjes kritike.

Njeriu dhe Qyteti

Qyteti është Tirana, njeriu është njëri prej nesh që e shesh lumin mes përmes saj me sytë e Bardhyl Londos “një lum llum… kurrë nuk do të derdhet brenda njeriut”, rrugët magjike njëra prej të cilave “edhe pse kaloj shpesh i vetëm/ kurrë s’e dita ç’do të thotë vetmi, është një rrugë në Tiranë, që më bën me tepër njeri”, kodrat që “njohin vetëm alfabetin e dashurisë”.

Në kapitullin një “lumë përmes qytetit” mund të tentojmë kërkimin e lirikës pas hetimit të reales si nevojë pë të besuar tek e bukura si alternativë , tek forca e saj shëruese në qytetin që humbet referencat, kujtesën, natyrën i cili individin e dehumanizon drejt numrave duke e zhveshur nga forma dhe përmbajtja. Londo tenton digën e fundit ndërtuar me litota një material që nuk blihet meqënëse është lëndë shpirterore.

Qyteti provoi izolimin, karantinën, depresionin, verën e mallkuar, fluturimin e korbave të cilët “vazhdonin gjuetinë makabre, të zinj, të pisët si ferr/vonë si spermë e një dhunimi fatal, një re mbi qytet shiun derdhi“! Poeti është aty në dritare me cigaren ndezur duke shkruar dëshminë e tij.

Njeriu dhe vdekja

Londo e lexon njeriun në plotësinë dhe boshllëkun e tij. Një antropologji që duhet të mbajë së bashku dy gjëra, jo vetëm njeriun e vetmuar të zbrazur, boshin e tij që nuk mbushet por edhe njeriun plot pa mungesa. Njëra është realitet, tjetra kujtim. Atëherë çfarë është boshllëku që në të njëjtën kohë mbushet me kujtim? Ajo është shenja që bëhet poezi.

Ajo është një “varrezë shëtitëse” ku poeti shëtit “me të vdekurit e tij”. Është një grua që ka ikur nga Itaka e tij, Penelopa e përjetshme që në Parajsë e pret pa nxitim “që e ndjek kudo nga pas “këndej në tokë dhe“ derdh gotën e tepërt të verës, më jep ilaçin kur vjen orari, nga frika mos e harroj pa pirë, më shtron tavolinën kur më merr uria”!

Sokol Olldashi “I shkel syrin dhe fton për një bilardo”, “Teodora Laço ka hapur shahun dhe pret lëvizjen time të gabuar”. Të gjitha shenjat në më të egrin e muajve Prillin siç e therriste Eliot, me të hidhurin siç e përkufizon Londo i shfaqen, si mall, si vaj, si mungesë, si bosh që kërkon të mbushet, por Kryqi këtë ka përjetësinë me misterin e besimit dhe jo rikthimin fizik, ai me forcën e dashurisë të mundon e gëzon.

Por dilema mbetet si mohimi i tretë i Pjetrit aq sa në një muzg apo agim të vjen të pyesësh veten “Ndoshta erdhi ora të iku/ sytë të mbyll si një perde tragjedish/pikëpyetjen torturuese do marr me vete’ a ishte jetë kjo apo gjë tjetër ish ?”

Njeriu dhe sivellezerit e tij

London në qetësinë e hidhur të karantinës bashkbisedon me sivellezërit e tij të Republikës së letrave. Ata janë miq të përhershëm me emra të skalitur në trashëgiminë kulturore të botës dhe të martuar të përjetshëm me të, si Osip Mandelshtam, Andrej Voznjesenskij, Pazolini, Robert Hass, Adam Zagajevski e të tjerë. Në një kërkim universal dialogu është Bardhyl Londo për gravitetin e rëndesën e njeriut në jetë, për jetën si nënë e si njerkë, për të gjetur atë që Ungareti e cilëson si “fibra e universit” në logjikë e vanitet, në urrejtje e dashuri, në bosh e plotësi.

Njeriu dhe Dashuria

Duke lexuar “Prill i hidhur” arrita në një konkluzion fundor, pasi disa temave mes të shumtave që i shtjellova si dita e sa munda në mënyrë abuzive siç është interpretimi, tejet i personalizuar. Pozicioni i njeriut në hapësirë dhe kohë në pikëprerjen e tyre merr kuptim jo nga inteligjenca e tij po nga diçka ku e ku më e jashtëzakonshme tek aftësia për të falur, “të lumë ata që falin”, thuhet në librin e shënjtë.

Njeriu është e vetmja krijesë që e zotëron këtë aftësi të çuditshme, atë të të falurit si një formë lirie e dashurisë njerëzore ose si dashuri e pakushtëzuar ndonjëherë edhe e padrejtë në dukje, por dashuria është e padrejtë, për fat nuk matet me kutin e drejtësisë. Padrejtësia e dashurisë është kontributi madhor me këtë libër që të fut te dridhurat me emocionet e forta, të magjeps shijet me elaborimin e tyre, të pikëllon me fuqinë e tij testamentare, por edhe sjell dritë në letërsinë shqipe të vitit të mbrapsht 2020 duke vënë një kufi të ri në tokën e saj të pashkelur. Mos o Zot!

Pse kështu? Vërtet nga Kryqi lindim, Kryqin mbajmë dhe të Kryqi shkojmë, a nuk mund të ishe me dorëlëshuar me ne, të paktën të ishte më i lehtë në të ngjitur? Lexojeni këtë libër për ta kuptuar teksa Bardhyl Londo tërheq putirin që Valentina s’e ka vënë ende re për t’ja hequr nga dora!

Nga Agron Gjekmarkaj

Pak fjalë për autorin

I afirmuar që në vitet shtatëdhjetë, Bardhyl Londo është një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Falë talentit dhe energjisë së tij krijuese, ai është ndër të rrallët që ka vazhduar të botojë me sukses edhe pas viteve nëntëdhjetë, duke mos u shkëputur asnjëherë nga poezia, pavarësisht angazhimeve të tij në politikë dhe në jetën shoqërore të vendit.

Të dhëna për librin

Titulli: Prill i hidhur

Autor: Bardhyl Londo

Shtëpia Botuese: Onufri

Viti: 2020

Gjuha: Shqip

Top Channel