Presidenti rus Vladimir Putin shënoi të paktën 8 gola, në një shfaqje hokeji në akull me ish-lojtarë të kampionatit NHL, të zhvilluar pikërisht në pistën e akullt Bolshoy të Sochit.
Megjithatë, pas këtij suksesi pati edhe një momenti dramatik. Ai i rrëzimit me fytyrë poshtë teksa ishte duke përshëndetur të pranishmit në xhiron tradicionale që shoqëron fitoren e një takimi të tillë.
Udhëheqësi 66-vjeçar rus, i cili u shfaq shumë në formë edhe pas rrëzimit, zbriti në pistën e akullt natën e së premtes në atë që është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme. Ai luajti si pjesë e ekipit të “Legjendave”, së bashku me yje të hokejit rus si Slava Fetisov apo Pavel Bure.
E ndërsa “Associated Press” dhe “Reuters” raportuan për 8 pikë të shënuara nga Putini gjatë ndeshjes, të dhënat e publikuara nga zyrtarët e Kremlinit tregojnë se ai kishte shënuar 10 herë në fitoren 14-7. Shoku i tij i skuadrës, që nuk ishte as më pak e as më shumë por ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, shënoi 3 gola në këtë takim.
Putin, mbështetja e të cilit ka rënë në vitet e fundit, me Rusinë që përballet me probleme ekonomike, luan në mënyrë të vazhdueshme me zyrtarë të qeverisë, biznesmenë dhe ish-yje të NHL-së, në ndeshje që transmetohen madje me pompozitet të madh në televizionin kombëtar shtetëror.
Top Channel