Trump ende në pushtet, por gara për 2028 ka nisur/ Kush po përgatitet për Shtëpinë e Bardhë?
Presidenti kolumbian, Abelardo de la Esperanza, urdhëroi vendosjen e ushtrisë në Santa Marta, në veri të vendit, një qytet në brigjet e Detit të Karaibeve, ku janë kryer sulme ndaj dyqaneve dhe automjeteve pas një operacioni të forcave të sigurisë kundër një grupi të armatosur vendas.
Qyteti me pothuajse 570 mijë banorë është përfshirë nga një situatë tensioni që prej së martës, pas një operacioni 13-orësh, gjatë të cilit u vranë 13 anëtarë, përfshirë një nga drejtuesit, të Autodefensas Conquistadoras de la Sierra Nevada (ACSN), një grup paramilitar i ekstremit të djathtë që kontrollon rrugët e trafikimit të drogës dhe merret me zhvatje.
Pjesë të qytetit, një nga më të mëdhenjtë në bregdetin kolumbian të Karaibeve, u boshatisën të mërkurën, mes thashethemeve për kufizime në tregti dhe lëvizje të vendosura nga organizata që terrorizon rajonin.
“Kolumbi | Në këtë orë, ndryshimi i rendit publik është regjistruar në Santa Marta, Magdalena dhe disa zona të departamentit të La Guajira-s, si pasojë e operacioneve të fundit ushtarake të kryera në këto territore”, njoftuan autoritetet.
Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë burra të armatosur me motoçikleta duke lëvizur nëpër rrugët e Santa Martës, duke qëlluar ndaj dyqaneve të hapura dhe duke djegur automjete që bllokojnë rrugët.
“Këta banditë pretendojnë se i kanë vënë zjarrin një pjese të madhe të bregdetit të Karaibeve, duke filluar nga Santa Marta, ku ata kërcënuan tregtarët, banorët dhe transportuesit”, tha Presidenti de la Esperanza në një mesazh me video.
“Kam urdhëruar (…) përforcimin e menjëhershëm të pranisë së ushtrisë dhe policisë” dhe “kushdo që nuk nënshtrohet do të eliminohet”, deklaroi ai.
Policia përforcoi praninë e saj dje në zonat tregtare, duke vendosur njësi të specializuara në luftën kundër zhvatjes, si dhe forca speciale, bëri të ditur një zëdhënës për AFP-në.
Njësitë e ushtrisë u vendosën gjithashtu përgjatë rrugës që lidh Santa Martën me departamentin e La Guajira-s, i cili kufizohet me Venezuelën dhe ku vepron edhe ACSN.
Presidenti de la Esperanza, një ish-avokat milioner i mbështetur nga SHBA-ja e Donald Trump, mori detyrën në gusht. Politikani i ri i së djathtës ekstreme ka premtuar të godasë grupet e armatosura të përfshira në trafikun e kokainës. Kolumbia është prodhuesi kryesor i kokainës në botë.
Top Channel