Të rrëmbyera nga ritmi frenetik i jetës dhe angazhimet profesionale, ka femra që vendosin në një moment të mos privohen nga ndjenja e mëmësisë.
Për këtë arsye i drejtohen shkencës dhe jo vetëm në vendet e zhvilluara. Vitet e fundit, edhe në Shqipëri.
Kamera e Top Channael shkoi në një nga laboratorët, ku realizohen që nga ngrirja e vezëve dhe formimi i embrionëve, e deri te realizimi i shtatzënive.
Një tendencë tjetër është edhe ajo e “single mother” ose nënave beqare. Vajza në një moshë relativisht të madhe vendosin të lindin e të rritin të vetme një fëmijë.
Edlira është 39 vjeç.
“Prej një kohe shumë të gjatë kam punuar si shefe finance në përfaqësi të huaja, me orare të stërzgjatura, duke u fokusuar në karrierë për të shtuar sa më shumë të ardhurat, duke lënë pas pjesën personale. Në një moment, kur e pashë që edhe ora biologjike po trokiste dhe nuk kisha më kohë, duke mos pasur një partner të qëndrueshëm ose një njeri me të cilin do të doja të rrisja një fëmijë, iu drejtova klinikës së fertilitetit për të realizuar një fertilizim in vitro me spermë të dhuruar. Aktualisht unë e kam kryer procedurën përpara dy muajsh, e tani jam duke përjetuar një shtatzëni. Dëshira dhe vendosmëria ime që të bëhesha nënë më solli që të dal edhe kundër paragjykimeve dhe njerëzve të mi më të afërt iu shpjegoj që dëshira ime tejkalon edhe mentalitetin shqiptar”, tha Edlira.
Ngrirja e vezëve prej femrave është një tendencë në rritje.
“E zëmë se në planet e karrierës së tyre, edhe për 5 vite nuk duan që të kenë fëmijë, një 5-vjeçar që përkon me kapërcimin e atij që ne e quajmë pragu i fertilitetit, do të ishte mirë që ngrirja e vezëve të bëhej përpara moshës 35 vjeç. Aktualisht mund të shohim 5-7 raste të tilla në vit”, thotë Otilja Dekovi, specialiste infertiliteti.
Ndërsa numri i vajzave që kërkojnë të bëhen “nëna single” është më i vogël se ato që ngrijnë vezët.
“Edhe në këtë rast rekomandohet në një moshë sa më të hershme, për t’iu dhënë mundësitë maksimale për shtatzëni. Pasi paraqet dokumentacionin përkatës, ku kryesorja është certifikata familjare, që provon se nuk është në lidhje bashkëshortore, mund t’i nënshtrohet pastaj procedurave për të realizuar një shtatzëni me vezët e veta dhe me spermë të dhuruar”, tha më tej Otilja Dekovi.
Top Channel