Pogradeci “pushtohet” nga motorët, mbi 1 mijë motoristë marrin pjesë në eventin Moto Fest

18/07/2026 09:32

Zhurma e motorëve dhe ritmet e muzikës rock kanë pushtuar qendrën e Pogradecit, ku është çelur edicioni i këtij viti i Moto Fest. Aktiviteti ka bërë bashkë motoristë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe pjesëmarrës nga jashtë vendit, duke e kthyer qytetin liqenor në një pikë takimi për komunitetin e apasionuar pas motorëve.

Përgjatë mbrëmjes, qytetarë dhe turistë kanë ndjekur nga afër ekspozimin e motorëve, koncertet live dhe aktivitetet e organizuara në shesh. Organizatorët shprehen se ky festival synon të promovojë jo vetëm kulturën e motoristëve, por edhe potencialin turistik të Pogradecit, ndërsa dita e dytë pritet të jetë kulmi i aktivitetit me pjesëmarrjen e rreth 1000 motoristëve nga vende të ndryshme.

Mes pjesëmarrësve nuk munguan as motoristë që prej vitesh jetojnë jashtë Shqipërisë, por që rikthehen për t’u bërë pjesë e festivalit. Ata e konsiderojnë këtë aktivitet një mundësi për të ndarë të njëjtin pasion, për të krijuar miqësi të reja dhe për të afruar më shumë të rinjtë me botën e motorëve.

Në festival morën pjesë edhe përfaqësues të motoklubeve nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët vlerësuan atmosferën dhe organizimin. Ata theksuan se aktivitete të tilla forcojnë lidhjet mes motoristëve dhe kontribuojnë në rritjen e interesit për këtë pasion.

Mbrëmja vijoi me performanca muzikore, duke e shndërruar sheshin e Pogradecit në një skenë të hapur argëtimi për të gjitha moshat. Artistët e ftuar sollën repertor rock dhe pop-rock, ndërsa publiku shoqëroi performancat deri në orët e vona.

Moto Fest do të vazhdojë edhe përgjatë ditës së nesërme me paradën e motorëve, aktivitete të tjera dhe pjesëmarrjen e motoristëve nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera europiane, duke e kthyer Pogradecin në një nga destinacionet më të rëndësishme të fundjavës për komunitetin e motoristëve.

Top Channel