Ministria e Bujqësisë nis spërkatjen e kulturave të misrit në Maliq, trajtohen rreth 100 hektarë

18/07/2026 11:48

Pas konstatimit të pranisë së dëmtuesit Diabrotica virgifera virgifera (rrënjëngrënësi i misrit), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në bashkëpunim me Bashkinë Maliq, kanë nisur spërkatjen e kulturave të misrit në zonat e prekura.

Rreth 100 hektarë me misër po trajtohen me teknologji moderne, përmes përdorimit të dronëve bujqësorë, me qëllim kufizimin e përhapjes së dëmtuesit dhe mbrojtjen e prodhimit.

Në terren ishte edhe zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari, i cili ndoqi nga afër procesin e ndërhyrjes.

Kostot e këtij shërbimi janë plotësisht të mbuluara, ndërsa monitorimi dhe masat mbrojtëse do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim për të garantuar mbrojtjen e kulturave të misrit dhe mbështetjen e fermerëve.

Top Channel