“Qelizat më frikësuan për një tumor”/ Aulona Musta rrëfen vitin më të vështirë: Fitoj para nga sharësit, politikën ua kam lënë influencerave

28/06/2026 22:47

Gazetarja dhe moderatorja Aulona Musta ishte e ftuara e radhës në podcastin e Grida Dumës, ku zhvilloi një nga bisedat më personale të viteve të fundit.

Me sinqeritetin që e karakterizon, ajo foli për lumturinë, mënyrën si ka ndërtuar jetën e saj, raportin me komentet në rrjetet sociale, frikën që përjetoi kur dyshoi për një problem serioz shëndetësor, karrierën në media, martesën dhe vajzën e saj. Ajo tregon se nuk preket nga fyerjet dhe madje i sheh ato me humor. “Unë fitoj para edhe nga sharësit”, thotë Aulona, ndërsa sfidon kritikët që ta përballin edhe ballë për ballë.

Moderatorja rrëfen edhe një nga momentet më të vështira të jetës së saj, kur disa analiza ngritën dyshime për një tumor. Ajo tregon emocionet, frikën dhe periudhën e gjatë të vizitave e kontrolleve, deri në marrjen e përgjigjeve përfundimtare.

Në podcast nuk mungojnë as kujtimet nga fillimet e saj në media. Aulona rikthehet te eksperienca në “Kafazi i Artë”, te gazeta “Paloma” dhe rruga që ndoqi për të ndërtuar një karrierë të pavarur.

E pyetur nëse do të hynte ndonjëherë në politikë, Aulona përgjigjet me ironi se atë fushë ua ka lënë influencerëve, ndërsa vetë do të vazhdojë të bëjë punën që ka zgjedhur prej vitesh.

Intervistën e plotë të Aulonës në Grida Duma Podcast mund ta ndiqni në kanalin e Top Channel në Youtube.

Top Channel