“The Odyssey” bën histori, sukses i jashtëzakonshëm i filmit të Christopher Nolan mbi veprën e Homerit

21/07/2026 15:32

Christopher Nolan ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore me filmin “The Odyssey”, i cili po shënon sukses të jashtëzakonshëm në kinema dhe po konsiderohet një nga projektet më ambicioze të karrierës së regjisorit britanik.

Filmi ka debutuar me 264.1 milionë dollarë në arkëtime globale gjatë fundjavës së parë, duke regjistruar hapjen më të suksesshme në karrierën e Nolan. Vetëm në SHBA dhe Kanada ai ka arkëtuar 124.5 milionë dollarë, ndërsa shfaqjet në IMAX kanë vendosur rekord historik me mbi 52 milionë dollarë të ardhura në nivel botëror. Për realizimin e “The Odyssey”, Nolan bashkëpunoi ngushtë me IMAX, duke kërkuar zhvillimin e një gjenerate të re kamerash. Filmi është produksioni i parë i madh komercial i xhiruar tërësisht me këto kamera, një teknologji që pritet të përdoret edhe nga regjisorë të tjerë në projektet e ardhshme. Ndërkohë, kritika ka vënë në dukje se filmi nuk ndjek në mënyrë strikte poemën e Homerit.

Nolan ka ndryshuar ose hequr disa elemente mitologjike, ka zgjeruar episodin e Kalit të Trojës dhe ka ndërtuar një fund ndryshe nga ai i veprës origjinale, duke e zhvendosur fokusin nga ndërhyrjet e perëndive te trauma njerëzore, kujtesa dhe rikthimi i Odiseut në Itakë. Suksesi i “The Odyssey” po konsiderohet një tjetër dëshmi e fuqisë së emrit të Christopher Nolan në industrinë e filmit. Analistët vlerësojnë se regjisori është kthyer në një markë më vete, ndërsa mijëra spektatorë kanë udhëtuar në qytete të ndryshme të botës vetëm për ta parë filmin në formatin IMAX 70 mm, duke e shndërruar premierën në një fenomen global kinematografik. Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është kolona zanore e filmit.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se në kërkim të një identiteti muzikor autentik për botën e Homerit udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi iso-polifoninë shqiptare dhe tingujt e fyellit dyjar. Sipas tij, këto elemente të traditës shqiptare u integruan në kolonën zanore të “The Odyssey”, duke i dhënë filmit një atmosferë arkaike dhe unike.

Iso-polifonia shqiptare, e shpallur nga UNESCO pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, dëgjohet në disa prej momenteve më të rëndësishme të filmit, duke sjellë për herë të parë këtë traditë muzikore në një produksion hollivudian të këtyre përmasave.

Top Channel