George dhe Amal Clooney mund të jenë gati të hapin një kapitull të ri në jetën e tyre, këtë herë në ishullin italian të Caprit.
Pas rezidencës së tyre të famshme në Liqenin e Komos, çifti thuhet se ka shfaqur interes për një nga pronat më ekskluzive në Mesdhe.
Sipas raportimeve të shtypit ndërkombëtar, aktori i Hollivudit dhe avokatja e njohur e të drejtave të njeriut kanë vizituar Villa Bragaglia, një rezidencë historike e vendosur në zonën e qetë të Tiberio-s, larg turmave turistike dhe e arritshme vetëm përmes shtigjeve piktoreske për këmbësorë.

Vila, e cila doli në treg në vitin 2021, konsiderohet një nga pronat më prestigjioze të Caprit. Me pamje spektakolare mbi Gjirin e Napolit, ajo përfaqëson një kombinim të historisë, privatësisë dhe bukurisë natyrore. E ndërtuar në vitet 1940 me porosi të regjisorit italian Carlo Ludovico Bragaglia, rezidenca ruan ende atmosferën e epokës së artë të kinemasë italiane dhe të “La Dolce Vita”.
Shtypi ndërkombëtar i modës dhe stilit të jetesës ka raportuar interesin e mundshëm të çiftit për këtë pronë, ndërsa revista People bëri të ditur se George Clooney u pa në Capri gjatë muajit korrik, duke vizituar vilën. Prania e tij ka shtuar spekulimet se çifti mund të ketë zgjedhur ishullin si destinacionin e tyre të ri në Itali.

Villa Camarella, e njohur edhe si Villa Bragaglia, është një rezidencë elegante e fshehur mes pemëve të limonit dhe bimësisë mesdhetare. Kompleksi përbëhet nga dy ndërtesa të pavarura, vila kryesore dhe një aneks, të projektuara për të ofruar privatësi dhe rehati maksimale.
Rezidenca kryesore shtrihet në katër kate me një sipërfaqe prej rreth 800 metrash katrorë, ndërsa e gjithë prona ka rreth 1,200 metra katrorë hapësirë të brendshme dhe mbi 4,800 metra katrorë ambiente të jashtme.
Prona përfshin gjithashtu një pishinë panoramike prej 113 metrash katrorë, një fushë tenisi, një fushë futbolli, një zonë rekreative dhe një shtëpi karakteristike me ngjyrë limoni, të rrethuar nga gjelbërimi mesdhetar.
Nëse blerja realizohet, Capri mund të bëhet rezidenca e re italiane e George dhe Amal Clooney, duke i shtuar një tjetër simbol luksi dhe elegance historisë së tyre me Italinë.
Top Channel