Këta janë tre djem të rinj që punojnë si mësues pranë shkollës “Kodhel Dedja”, në Zavalinë, 45 kilometra larg Elbasanit.
Eltoni, Arturi, dhe Marigleni nuk janë vetëm kolegë në një shkollë, por edhe jetojnë bashkë në një shtëpi. Ata jetojnë larg familjes pasi mungesa e infrastruturës rrugore nuk i lejon të shkojnë në shtëpi. Nëse do të shkonin në shtëpi çdo ditë, i duhen 4 orë rrugë, edhe pse janë vetëm 15 kilometra larg. Arturi, mësuesi i biokimisë, sot po feston 7 Marsin në këtë shkollë.
Pavarësisht kësaj, ai nuk ndjehet i lodhur edhe pse ka edhe një profesion të dytë, atë të infermierit: “Është një nga profesionet më të dashura për mua, nuk mund ta ndërroj me asnjë për momentin. A mer kënaqësi? Normal që po, e vetmja kënaqësi është rezultati i nxnësve”.
Elton Preçi ka përfunduar studimet e larta në Tiranë, pavarësisht kësaj ai pranoi të punojë si mësues në Zavalinë, fshati i cili nuk i jep asgjë një të riu: “Nëqoftëse do ta lija këtë profesion do të më dukej sikur do të humbja një pjesë të jetës sime. Të qenit këtu në Zavalinë nuk është se përbën problem, edhe pse ambiciet e mia janë për t’u kthyer ndoshta në Tiranë. Po punoj për të përparuar në profesionin tim”.
Për Mariglenin kjo është eksperienca e parë në mësimdhënie dhe se të ardhmen nuk e sheh këtu: “Është viti i parë që ushtroj profesionin e mësuesit, merr kënaqësi kur edukon brezin e ri sepse kështu edukon për vendin”.
Pasi përfundojnë mësimin, tre kolegët shkojnë në shtëpi, ku edhe aty i kanë detyrat e ndara. Arturi merret me gatimin, Margleni me pastrimin, ndërsa Eltoni përgatit drutë për sobën e zjarrit. Fshati i Zavalinës po braktiset çdo ditë, për këtë arsye në këtë vend nuk ka një bar ku mund të konsumosh diçka, nuk ka argëtime që mund të kërkojë një djalë i ri, por e vetmja gjë që të fal ky vend është natyra.
Pavarësisht kësaj, ata thonë se çdo mësues duhet ta bëjë një sakrificë të tillë, kjo për të mirën e vendit: “Mësuesi është figura qendrore e edukimit të shoqërisë, pas familjes sepse ajo është e para. Mësuesi është ai që formëson idetë e fëmijëve, dhe po mësuesi është ai që ka në dorë të ardhmen e një kombi”.
Top Channel