Një HEC i ri që planifikohej të ndërtohej mbi përroin e Rehovës degë e lumit të Kardhiqit në Gjirokastër ka ndeshur në kundërshtinë e banorëve të fshatit Kolonjë, në Cepo.

Sipas tyre, kompania ETT Group Auto shpk. ka marrë në maj të vitit 2017 një miratim paraprak prej Ministrisë së Energjitikës për vazhdimin e proceduarave për HEC Kolonja me kapacitet të instaluar 700 kë.

Kompania u autorizua të studiojë dhe vlerësojë terrenin para investimit dhe në 2018 ajo u përjashtua nga kriteri për VNM të thelluar duke përshpejtuar në këtë mënyrë hapat për fillimin e ndërtimit të HEC Kolonja.

Kompania, sipas banorëve, pretendon se ka realizuar edhe dëgjesën publike, megjithëse nuk është thirrur asnjë takim publik në terren. Banorët janë të shqetësuar për devijimin e një sasie të madhe të ujit të pijshëm dhe atij për vaditje, ndërsa i kanë kërkuar Bashkisë së Gjirokastrës të mos e mbështesë këtë projekt.

Bashkisë së Gjirokastrës i është kërkuar javën e kaluar të shprehet zyrtarisht mbi efektet në territor dhe sipërfaqet që do të shpronësohen prej kësaj vepre, por Zamira Rami, kryetare e bashkisë, thotë se kjo përgjigjje është pezulluar pas urdhrit të Ministrisë së Energjitikës, sipas të cilit pezullohen për t’u rishqyrtuar të gjitha projektet që kanë të bëjnë me HEC-e, projektet e të cilëve nuk kanë filluar të implementohen.

Megjithëse ky vendim duket se përkohësisht e shtyn vendimmarrjen edhe për HEC Kolonja, banorët kanë paralajmëruar protesta. 130 familje të fshatit krah të cilit ishte planifikuar të ndërtohej HEC-i, thanë se nuk kishin dijeni për këtë projekt dhe, sipas tyre, shumë proceduara janë kryer në fshehtësi dhe pa transparencë publike.

Top Channel