“Velloja” e Shishtavecit/ Peizazh unik në Kukës që mbledh të gjitha moshat, çiftet e shfrytëzojnë si dekor për dasmat

08/06/2026 12:55

Një vello e bardhë ka mbuluar hapësirën mes Shishtavecit dhe Stanave të Novosejt në Kukës.

Kjo është lulja e Narcisit, e njohur ndryshe si lulet e poetit. Ky peizazh unikal mbledh rreth vetes vizitorë të të gjitha moshave, e madje edhe çifte që kurorëzojnë dashurinë mes kësaj parajse natyrore.

Të pasionuarit pas natyrës thurin kurora dhe mbledhin buqeta, duke marrë me vete një kujtim të rrallë. Por, ky lulëzim masiv nuk është i rastësishëm. Banorët lokalë tregojnë se pas viteve dymijë, bima u shumua falë përkujdesjes së vazhdueshme të vetë komunitetit.

Megjithatë, kjo bukuri e brishtë kërkon dashuri dhe vëmendje nga të gjithë. Apeli i banorëve është i thjeshtë: ta shijojmë këtë parajsë pa lënë pas asnjë gjurmë që mund ta zbehte shkëlqimin e saj.

Natyra bëri pjesën e vet duke na dhuruar këtë kartolinë të rrallë. Tani na mbetet ne, ta mbajmë të pastër, ashtu siç lulëzon çdo pranverë.

Top Channel