Presidenti rus, Vladimir Putin viziton sot Serbinë, me qëllim çimentimin e bashkëpunimit me një vend që kërkon anëtarësimin në BE.

Para vizitës së tij në Beograd, Putin akuzoi disa vende perëndimore, përfshirë SHBA, se po destabilizojnë Ballkanin.

Masat e sigurisë në kryeqytetin serb janë dukshëm të larta: avionë “MIG” do të shoqërojnë avionin e tij dhe 7.000 oficerë policie janë dislokuar.

Banorëve u është kërkuar të mos dalin në ballkone për të parë Putinin, teksa përshkon rrugët e Beogradit.

Masat pasojnë protestat e mëdha të opozitës kundër presidentit Aleksandar Vuçiç dhe partisë së tij, javët e fundit, me demonstruesit që e akuzojnë se po shtyp lirinë e medias dhe po sulmon opozitën.

Pavarësisht masave të larta të sigurisë, disa dhjetëra e mijëra njerëz raportohet të kenë planifikuar të dalin e ta përshëndesin liderin rus, ndërsa do të vizitojë Kishën e Shën Savës, më të madhen ortodokse në Serbi.

Edhe pse Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE, ajo mbetet aleate e ngushtë e Moskës. Shumëkush, pikërisht në këtë pikë dyzohet: nëse vendi është kaq i vendosur të anëtarësohet në Bashkimin Europian, përse ka një lidhje të tillë me Rusinë?

Karta e lidhjeve të ngushta me Moskën shfrytëzohet nga baza nacionaliste konservatore që mbështet Vuçiçin. Ajo nënvizon karakterin sllav, ortodoks të vendit, edhe pse orientimi i Serbisë është Perëndimi.

Vet presidenti rus ka dhënë dy intervista para vizitës së tij, duke nënvizuar lidhjet shekullore, e raportohet se do të nënshkruhen 21 marrëveshje me Beogradin, përfshirë ato në sektorë si energjia dhe mbrojtja.

Putin, ndërkohë, ka premtuar se do të vazhdojë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak dhe teknik me Serbinë dhe ka kritikuar BE-në për qëndrimin ndaj Kosovës. Kjo e fundit është paralajmëruar se do të jetë një nga temat në agjendën e bisedimeve mes Vuçiçit dhe Putinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA