Albumi i kujtimeve i Marco Branca: Për Cecchi Gori isha i bukur si aktor. Kur mora Sneijder u zura me Mourinhon sepse…
Pas reagimit të tij pak orë më parë për pagat e magjistratëve, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në platformën X, duke sjellë të tjera të dhëna mbi pagat e gjyqtarëve në Shqipëri dhe rritjen e kërkuar prej tyre.
Rama argumenton se paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është aktualisht 280% më e lartë se paga mesatare në administratën shtetërore, ndërsa sipas tij është 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shton se pagat e gjyqtarëve shqiptarë janë gjithashtu më të larta se ato në Kroaci, Bullgari dhe Serbi.
Sipas kryeministrit, nëse do të miratohej rritja e kërkuar e pagave, paga mesatare e gjyqtarëve do të tejkalonte edhe atë të kolegëve në Greqi, Rumani dhe Slloveni.
“Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë”, shkruan Rama.
Kryeministri ndalet edhe te raporti mes pagave të magjistratëve dhe drejtuesve më të lartë të shtetit. Sipas tij, me rritjen e kërkuar, paga mesatare e trupës gjyqësore do të ishte rreth 1 mijë euro më e lartë se ajo e Presidentit dhe 2 mijë e 200 euro më e lartë se paga e një ministri.
Rama thotë se diferenca do të ishte edhe më e madhe në rastin e pagës më të lartë në sistemin gjyqësor.
“Sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Rama e lidh çështjen e pagave me kallëzimin penal të bërë nga shoqatat e gjyqtarëve ndaj Ministrit të Financave dhe drejtuesve të thesarit në të gjithë vendin.
Postimi i plotë:
Sot paga mesatare e gjyqtarëve në Shqipëri është 280% më e lartë se paga mesatare të administratës shtetërore; 60% më e lartë se paga mesatare e kolegëve në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut; më e lartë se në Kroaci, Bullgari apo Serbi…
Me rritjen e kërkuar me llogarinë vetë Zot vetë Shkop, paga mesatare e gjyqtarëve bëhet më e lartë se në Greqi, Rumani e Slloveni dhe 140% më e lartë se në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në raport me administratën shqiptare ajo kërcen në 470% më shumë…
Dhe nëse në të tëra vendet e tjera të rajonit, Europës dhe botës demokratike maja e piramidës së pagave në shtet është Presidenti, paga mesatare e rritur në rrugën jashtë parlamentit bëhet 1,000 euro më e lartë se paga e Presidentit dhe 2,200 euro më e lartë se paga e ministrit. Kjo për mesataren e gjithë trupës, se duke marrë nivelin më të lartë të pagës në sistemin gjyqësor sot, aktualisht, është gati 2000 Euro më shumë se e Presidentit dhe 3000 Euro më e lartë se e ministrit, po bashkë me rritjen?!.. Oh, aty pastaj shkon mbi 5000 Euro më e lartë se e Presidentit dhe 6300 Euro më shumë se e ministrit!
Duket si fantazi e shfrenuar po në fakt është lënda e kallzimit penal që shoqatat e gjykatësve i kanë bërë Ministrit të Financave dhe drejtorëve të thesarit në tërë Shqipërinë, pse nuk dorëzojnë çelësat e thesarit për marrjen e këtyre shumave marramendëse pa vendim të parlamentit…

Top Channel