Ngërçi me pagat e gjyqtarëve, reagon sërish Rama: Gjykatësi fillestar në Shqipëri merr 500 euro më shumë se kolegët në Greqi

13/09/2026 09:22

Teksa debati qeveri-magjistratë për pagat vijon, kryeministri Edi Rama publikoi disa të dhëna krahasuese të rrogave për njerëzit e drejtësisë në vendin tonë dhe ata në rajon.

Në platformën X kryeministri Rama thotë se “një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”.

Këto të dhëna krahasimore tregojnë pagat e gjyqtarëve të rinj shqiptarë.

Ato renditen të dytat pas atyre në Rumani ku një gjyqtar atje paguhet 3.665 euro ndërsa në vendin tonë paguhet 3.241 euro.

Në renditjen e pagave Shqipëria lë pas Slloveninë, Greqinë, Bullgarinë, Bosnjë Hercegovinën, Kroacinë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Ndërkohë nga po e njëjta tabelë, publikuar nga kryeministri Edi Rama nga përllogaritja me pagën vendosur vetes nga magjistrarët shqiptarë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, paga mujore e një drejtësi-dhënësi shkon në 4.886 euro.

Kjo do të thotë se pagat e magjistratëve shqiptarë kalojnë nga vendi i dytë në rajon në vendin e parë me një diferencë prej plus 1221 euro nga vendi i parë me rrogat më larta Rumania në vendin e parë.

Po për këtë çështje një ditë më parë, kryeministri Edi Rama publikoi një tabelë, të dhënat e të cilës i vlerëson si të tmerrshme,  nga ku del në pah se, nëse rrogat e magjistratëve do të rriten sipas formulës së tyre duke nisur nga 1 Prilli 2023, atëherë kosoja totale e buxhetit të shtetit do të jetë 12 miliardë lekë ose 130.5 milion euro.

 

Top Channel