Filip Çakuli

(Me rastin e ditës së shënuar të alfabetit shqip).

Kemi polici për gjithçka. Vetëm shqipen e kemi lënë pa mbrojtje.
Shqipëria është vend i sigurt. Të paktën për sa u përket policive.
Kemi Policinë e Shtetit. Kemi Policinë Kufitare. Kemi Policinë Bashkiake. Kemi polici rrugore, pyjore, ushtarake…
Secila ruan diçka.
Njëra kufirin, tjetra trafikun, një tjetër pyllin.
Vetëm një gjë ka mbetur pa roje:
gjuha shqipe.
Prandaj ndoshta ka ardhur koha të krijojmë edhe Policinë e Gjuhës.
Jo me pistoleta. Me fjalorë.
Jo të ndalojë qytetarët në rrugë, por politikanët në televizor.
— Dokumentet, ju lutem!
— Urdhëroni.
— Thatë “maxhorancë”?
— Po.
— Shqipja ka fjalën shumicë. Pesë mijë lekë gjobë.
— Po “minorancë”?
— Pakicë. Edhe pesë mijë të tjera.
— “Implementim”?
— Zbatim.
— “Suport”?
— Mbështetje.
— “Draft”?
— Projekt, projektligj, variant, sipas rastit.
— “Impakti”?
— Ndikimi.
— “Event”?
— Ngjarje, veprimtari, aktivitet.
— “Prioritet”?
Këtu polici mendon pak.
— Kalo. Këtë ta kemi falur prej kohësh.
Sepse problemi nuk është që shqipja të mos marrë fjalë nga gjuhët e tjera. Të gjitha gjuhët marrin dhe japin. Problemi fillon kur fjala shqipe ekziston, është e qartë, e bukur dhe e kupton edhe gjyshja në fshat, por ne e hedhim tutje sepse fjala e huaj na duket më elegante.
“Shumicë” na duket provinciale. “Maxhorancë” na bën europianë.
Thuaj “shumica parlamentare” dhe dukesh sikur po flet shqip.
Thuaj “maxhoranca parlamentare” dhe menjëherë fiton nja dy grada politike.
Po the edhe “implementimi i prioriteteve në funksion të impaktit”, praktikisht je gati për ministër.
Kemi krijuar një shqipe të çuditshme publike, ku fjalia nuk ndërtohet më për t’u kuptuar, por për t’u dukur e rëndësishme.
Sa më pak të kuptojë qytetari, aq më serioz duket folësi.
Sidomos politika është kthyer në pikë doganore për importin e fjalëve.
Politikani nuk thotë më:
“Do ta zbatojmë këtë masë dhe do të shohim ndikimin e saj.”
Kjo është tepër e thjeshtë. Rrezikon ta kuptojë populli.
Ai thotë:
“Do të implementojmë këtë paketë për të parë impaktin që do të gjenerojë.”
Tani po.
Nuk kuptuam ndonjë gjë më shumë, por të paktën kuptuam se folësi ka studiuar jashtë. Ose ka kaluar dy javë në Bruksel.
Televizionet pastaj e përfundojnë punën.
Moderatorët kanë “feedback”, gazetarët bëjnë “update”, të ftuarit flasin për “target”, partitë kanë “lidership”, bizneset bëjnë “performancë”, institucionet kanë “staf” dhe të gjithë bashkë presin një “event” për të bërë “networking”.
Shqipja rri në qoshe dhe pyet:
Po unë pse erdha?
Dikur gjuhën shqipe e kërcënonte pushtuesi.
Sot nuk ka nevojë.
E bastardojmë vetë, vullnetarisht, madje duke menduar se kështu dukemi më të ditur.
Prandaj Policia e Gjuhës do të kishte shumë punë.
Patrulla e parë duhet vendosur te hyrja e Kuvendit.
E dyta te Kryeministria.
E treta nëpër studio televizive.
Dhe një repart i ndërhyrjes së shpejtë duhet mbajtur gjithmonë pranë konferencave, sepse aty situata mund të dalë jashtë kontrollit brenda pak minutash.
Sigurisht, askush nuk duhet të burgoset për një fjalë të huaj.
Por ndonjëherë do të mjaftonte një bilbil.
Fiiiiit!
— Ndal! Çfarë the?
— “Maxhoranca ka implementuar një strategji me impakt pozitiv…”
— Duart mbi tavolinë! Ngadalë dhe pa lëvizje të papritura!
— Po çfarë bëra?!
— Tre fjalë të huaja kur i kishe shqip.
Dhe dënimi të ishte shembullor:
Një javë lexim i Fjalorit të Gjuhës Shqipe.
Për përsëritësit, dënimi të rëndohej:
Naim Frashëri, pa telefon në dorë.
Sepse kufijtë e Shqipërisë i ruan Policia Kufitare.
Rrugët i ruan Policia Rrugore.
Pyjet, të paktën në letër, i ruajnë strukturat përkatëse.
Po kufirin e shqipes kush e ruan?
Sepse po vazhduam kështu, një ditë nuk do të themi më se flasim shqip.
Do të themi:
“Komunikojmë lokalisht në një format linguistik me bazë albaniane.”
Dhe atë ditë, Policia e Gjuhës do të ketë ardhur shumë vonë.

Shënim: Ky shkrim është ekskluziv për Top-channel.tv

Top Channel