Vuçiç ndryshon ‘pllakë’ për Thaçin: Në Paris mora “sinjale të ndryshme” për vendimin ndaj tij
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë më pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një deklarate, PDK ka argumentuar se afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit janë shkelur dhe se LVV ka vendosur vazhdimisht kushte të reja politike për përmbylljen e procesit.
Sipas PDK-së, Kuvendi është dashur të konstituohej brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese. PDK thotë se edhe afati i dytë, 6 shtatori, i vendosur nga Vetëvendosje, nuk u respektua.
Megjithatë, PDK deklaron se mori pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me ftesë të LVV-së dhe me qëllimin për të përmbyllur konstituimin e Kuvendit.
Sipas PDK-së, në të dyja rastet procesi u pengua për shkak të mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.
PDK pretendon se e mbajti premtimin dhe votoi kandidatin e LVV-së për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa kjo e fundit nuk votoi kandidaten e PDK-së për të njëjtin post.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se tashmë LVV është shprehur e gatshme të votojë nënkryetarët, por e ka lidhur këtë çështje me mënyrën e votimit për Presidentin e Republikës.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në deklaratë.
PDK njofton se nuk do të vazhdojë të marrë pjesë në seanca të njëpasnjëshme, pasi sipas saj nuk ka garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të vendosen kushte të reja politike.
Ekspertët e PDK-së, sipas deklaratës, kanë nisur përgatitjen e rastit që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe do të kërkojë qartësi për procesin në tërësi.
“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, deklaron partia.
Në përfundim, PDK kërkon që të ndalen afatet e shkelura, kushtet e reja dhe pazaret politike, duke theksuar se tashmë “fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese”.
Top Channel