Taksat në naftë mbushin arkën e shtetit, më shumë para në buxhet nga shtrenjtimi, 1.7 miliardë lekë më tepër që nga marsi

13/09/2026 12:29

Një tjetër valë shtrenjtimi ka goditur tregun e karburanteve në Shqipëri. Nafta ka arritur deri në 229 lekë për litër, ndërsa benzina deri në 219 lekë.

Por përtej rritjes së çmimeve në pikat e shitjes, ajo që ngre pikëpyetje është se sa prej këtij shtrenjtimi vjen nga tregjet ndërkombëtare, sa nga struktura e taksave në Shqipëri.

Rritja e fundit erdhi në një moment tensionesh të forta në Lindjen e Mesme si dhe mbyllja e përkohshme e tubacionit East-west në Arabinë Saudite, eksportuesin më të madh të naftës bruto në botë, pasi kjo linjë strategjike e transportit të naftës u godit nga sulme ajrore.

Pasojat u reflektuan menjëherë në bursat ndërkombëtare. Më 10 shtator, çmimi i “Brent Crude” u rrit deri në 110 dollarë për fuçi, nga rreth 100 dollarë që tregtohej më parë. Ndërsa sot çmimi ka zbritur në rreth 104 dollarë për fuçi, por rritja e ditëve të fundit është reflektuar tashmë në tregun vendas.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është edhe çmimi Platts, që përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve. Më 10 shtator zhdoganimi i fundit është kryer me 1 mijë e 571 dollarë për ton nga 1 mijë e 446 dollarë për ton që ishte vetëm dy ditë më parë më 8 shtator.

Ndonëse kostot për transportin, bizneset dhe operatorët e transportit publik janë rritur, në këtë situatë një nga përfituesit më të mëdhenj rezulton të jetë buxheti i shtetit.

Të dhënat për periudhën mars-korrik 2026 tregojnë se në pesë muaj janë importuar rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por pavarësisht rënies së lehtë të sasisë së importuar, të ardhurat në buxhet nga nafta dhe benzina janë rritur.

Nga muaji mars deri në korrik përmes taksës doganore, akcizës dhe TVSH-së, buxheti ka arkëtuar rreth 20.2 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo do të thotë rreth 1.7 miliardë lekë më shumë, ose afërsisht 18 milionë euro shtesë.

Dhe një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje lidhet pikërisht me mënyrën se si taksohet karburanti në Shqipëri.

Në vendet e rajonit, zakonisht aplikohet një strukturë më e thjeshtë çmimi bazë, akciza dhe më pas TVSH-ja. Në Shqipëri përveç akcizës dhe TVSH-së prej 20 për qind, mbi çmimin e karburantit aplikohen edhe taksa e qarkullimit prej 27 lekësh për litër dhe taksa e karbonit prej 3 lekësh për litër.

Në total barra fiskale përbën rreth 50 për qind të çmimit final ose afërsisht 100 lekë për çdo litër karburant që paguan konsumatori.

Ndërkohë vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa të ndryshme dhe të vazhdueshme për të zbutur efektet e shtrenjtimit të karburanteve. Shqipëria, që nga muaji mars ka ndërhyrë vetëm dy herë me uljen e akcizës.

Por ndërsa konfliktet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbajnë të pasigurta tregjet ndërkombëtare, mbetet për t’u parë nëse çmimet e karburanteve do të stabilizohen apo nëse qytetarët shqiptarë do të përballen me një tjetër valë shtrenjtimi.

Nga 219 lekë në 229 lekë, nafta pas konfliktit në Lindjen e Mesme por mbi të gjitha bllokimit pasi eksportuesi më i madh i naftës bruto në botë Arabia Saudite ka mbyllur përkohësisht tubacionin e saj East-West, pasi kjo linjë strategjike e transportit të naftës u godit nga sulme ajrore. Këto rrezikuan që çmimet të kapin nivele të papara në histori.

Ky është çmimi më i lartë që nga rritja e çmimeve në muajin mars ku niveli më i lartë ishte në 226 lekë për litër. Shtrenjtim të çmimeve është shënuar edhe për benzinën. Nga 205 lekë që ishte çmimi i mëparshëm sot ka nisur të tregtohet me 216 dhe 219 lekë për litër. Benzina është rritur nga 11 deri 14 lekë për litër.

Rritja e çmimit të naftës në tregun vendas erdhi, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet e huaja më 10 Shtator.

Dy ditë më parë nafta “Brent Crude” arriti në nivelet maksimale prej 110 USD për fuçi nga 100 USD që tregtohej më parë. Ditën e sotme në bursa nafta po tregtohet me çmim 104 USD për fuçi.

Shtrenjtim i lartë u shënua edhe te çmimi Platts, që përdoret si referencë për zhdoganimin e importeve. Në datën 10 shtator zhdoganimi më i fundit është kryer për 1571 dollarë për ton nga 1446 dollarë për ton në 8 shtator.

Rritja e çmimit të karburanteve që nga fillimi i muajit mars, pas përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, ka gërryer të ardhurat e përdoruesve të mjeteve, operatorëve të transportit publik dhe me efekt zinxhir, të gjithë të tjerëve që u janë shtuar kostot nga transporti. Më i fituari rezulton që të ketë dalë buxheti, që ka arkëtuar më shumë të ardhura nga shtrenjtimi i naftës, përmes tatimit mbi vlerën e shtuar prej 20%, i cili i ngarkohet konsumatorit duke u shtuar në çmimin final të pakicës.

Nëse do ndalemi tek importi, të dhënat e importeve për periudhën mars-korrik 2026 tregojnë se në pesë muaj u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur sasia ishte rreth 309.6 mijë tonë.

Si rezultat i këtyre çmimeve nga muaji mars kur filloi rritja e çmimeve, deri në korrik, buxheti ka arkëtuar nga importi i naftës dhe benzinës, përmes taksës doganore, akcizës dhe TVSH-së, rreth 20.2 miliardë lekë, me një rritje prej 9.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose gati 1.7 miliardë lekë më shumë (rreth 18 milionë euro).

Nëse e krahasojmë me rajonin, për të gjitha vendet e rajonit zbatohet një strukturë e thjeshtë për llogaritjen e çmimit të naftës (çmimi bazë + akcizë dhe mbi këtë shumë llogaritet TVSH.

Top Channel