Një protestë paqësore në mbështetje të liderëve të UÇK-së që presin vendimin e gjykatës në Hagë më datë 16 shtator është zhvilluar sot në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Bronx të Nju Jorkut.
Organizatorë të protestës ishin prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, dhe Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut nga distrikti i 13-të, ku shërbeu nga viti 2018 deri në vitin 2021.
Në protestë morën pjesë Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, Batalioni i Atlantikut, si dhe shoqata të ndryshme patriotike e kulturore shqiptare në Nju Jork, me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Gjatë fjalës së tij, Hajdari përcolli përshëndetjet nga Tirana për shqiptarët e mbledhur në Bronx, ndërsa e cilësoi protestën si një tjetër shprehje të solidaritetit të shqiptarëve në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në përfundim prefekti i Tiranës tha se kërkesa e shqiptarëve është drejtësia, jo mëshira apo privilegji.
Fjala e plotë e Hajdarit:
Të nderuar organizatorë, të dashur bashkatdhetarë,vëllezër dhe motra shqiptare të Amerikës,
Sot, si Prefekt i Qarkut të Tiranës, kam nderin e privilegjin t’ju sjell përshëndetjet më të përzemërta nga populli i kryeqytetit të Shqipërisë, nga Tirana jonë – që është dhe zemra e shqiptarisë!
Shqiptarët e kanë ngritur zërin për liri e drejtësi për udhëheqësit e UÇK-së në mitingje përkrahëse disa herë në Prishtinë, në Hagë, në Shkup, në Tiranë, në shumë qytete të Evropës dhe kudo në diasporë ku jetojnë shqiptarë.
Një nga protestat më madhështore ishte ajo e 17 tetorit 2025 në Tiranë, kur mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, si sot këtu, u bashkuan në mbështetje të pafajësisë së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe luftës së drejtë e të ndershme të UÇK-së.
Atë ditë foli Tirana. Sot flet Bronxi, por dhe Kosova, sepse në Prishtinë paralelisht me ne, po zhvillohet një manifestim madhështor dhe atje!
Mesazhi është i njëjtë: DREJTËSI PËR ÇLIRIMTARËT!
Nga kjo tokë e bekuar e lirisë dhe kjo rrugë në Bronx, e cila është simbol pikëtakimi e solidariteti për shqiptarët në NY, ju përshëndes motra e vëllezër nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora shqiptare kudo në SHBA.
Ne nuk harrojmë Kosovën e përgjakur, familjet e dëbuara nga trojet e tyre, gjenocidin, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët që ranë heroikisht në luftën mbrojtëse që bënë ndaj spastrimit etnik.
UÇK-ja lindi nga dhimbja e një populli dhe luftoi për mbrojtjen e ekzistencës dhe lirinë e tij!
Nuk luftoi në tokën e askujt tjetër. Luftoi në tokën e vet, për popullin e vet dhe për të drejtën e tij, për të jetuar i lirë.
Prandaj nuk kërkojmë mëshirë dhe as privilegje.
Kërkojmë DREJTËSI!
Besojmë ne, beson i gjithë opinioni demokratik në Evropë e botë, besojnë ish-zyrtarët e lartë ushtarakë, diplomatë e politikanë të SHBA-së, të cilët nëpërmjet dëshmive të tyre në Gjykatën e Hagës, provuan pafajësinë e Hashim Thaçit e shokëve të tij dhe drejtësinë e pastërtinë e luftës së UÇK-së në bashkëpunim me NATO-n.
Dhe pikërisht këtu, në Amerikë, kujtojmë se kur Kosova përjetonte ditët e saj më të errëta, Amerika na dëgjoi! Amerika qëndroi me ne!
Ne shqiptarët nuk e harrojmë mikun, që na qëndroi pranë në ditët më të vështira.
Sot besojmë te Zoti, te drejtësia e pavarur ndërkombëtare, te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe te Presidenti Donald Trump.
Më 16 shtator, ditën e shpalljes së vendimit në Hagë, populli shqiptar pret:
Çlirim nga akuzat!
Pafajësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, dhe kthimin e tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, me dinjitetin që meritojnë!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!
Zoti e bekoftë UÇK-në, luftëtarët, dëshmorët dhe veteranët e saj.
Zoti e bekoftë miqësinë e përjetshme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Top Channel