EKSKLUZIVE/ Zbulohet emri, kush është i arrestuari në Greqi si kreu i grupit të kokainës me lule nga Kolumbia, Shqipëria e kërkon për vrasje “Kështu që ajo ka një çështje me drejtësinë. Aty as unë dhe askush nuk e mbron. Aty ajo mbron veten e vet, për aq sa i takon të mbrojë veten e vet.”
Ky ishte komenti i Kryeministrit Edi Rama për ish-zëvendësen e tij, Belinda Balluku, në podcastin “Flasim”. Një deklaratë që vjen në një moment kur pozita e Ballukut përballë drejtësisë ka ndryshuar ndjeshëm nga marsi, kur mazhoranca socialiste rrëzoi në Kuvend kërkesën e SPAK për arrestimin e saj me 82 vota. Hetimi ndërkohë është zgjeruar.
Pasi njoftoi se kishte identifikuar një vilë në Palasë, që dyshohet se ishte në pronësi faktike të Ballukut, por ishte regjistruar në emra të tjerë, pak ditë më parë SPAK bëri të ditur se kishte identifikuar edhe një tjetër pasuri të pajustifikuar, të dyshuar si produkt i korrupsionit.
Akuzat ndaj saj janë shtuar, ndërsa Balluku tashmë nuk mban më funksion qeveritar dhe vijon të hetohet në gjendje të lirë. Por një pyetje ka mbetur e hapur që prej muajit korrik. Teksa raportonte në Kuvend, kreu i SPAK, Klodian Braho, u pyet drejtpërdrejt nëse Prokuroria e Posaçme mund të kërkonte sërish arrestimin e Ballukut pas refuzimit të parë të Parlamentit.
“Nuk mund të them detaje konkrete. Është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrjen përkatëse. SPAK e ka pasqyruar në diskutimin me dyer të mbyllura se çfarë ka kërkuar dhe është i qartë reagimi i prokurorisë pas vendimmarrjes së Kuvendit.”
Deri tani, SPAK nuk është rikthyer në Kuvend me një kërkesë të dytë. Por nga kërkesa e parë, rrethanat kanë ndryshuar. Hetimi është zgjeruar, akuzat janë shtuar dhe Balluku nuk është më pjesë e qeverisë. Ka ndryshuar edhe gjuha politike e Kryeministrit.
Në mars, mazhoranca e drejtuar prej tij rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut. Gjashtë muaj më vonë, Rama thotë se përballë drejtësisë askush nuk e mbron dhe se Balluku duhet të mbrojë vetë veten.
Balluku ruan mandatin e deputetes dhe për arrestimin apo heqjen e lirisë së saj nevojitet autorizimi i Kuvendit.Pikërisht këtu rikthehet pyetja: A ka ndryshuar mjaftueshëm dosja që SPAK të kërkojë një masë të re sigurimi dhe të rikthehet në Parlament?
Një masë sigurimi nuk nënkupton domosdoshmërish arrestim dhe nuk përbën dënim. Ajo përcaktohet nga gjykata mbi bazën e kushteve dhe nevojave konkrete të hetimit. Edhe opozita kërkon që SPAK të rikthehet në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, argumenton se zgjerimi i hetimit dhe rëndimi i pozitës procedurale të Ballukut duhet të shoqërohen me rivlerësimin e masës së sigurimit. Por largimi i Ballukut nga qeveria hap edhe një tjetër pyetje. A ka përfunduar me detyrën edhe ndikimi i saj në strukturat që drejtoi për vite me radhë?
Në disa prej institucioneve dhe sektorëve që ishin nën përgjegjësinë e saj vijojnë të punojnë drejtues dhe zyrtarë që kanë marrë përgjegjësi gjatë drejtimit të Ballukut. Kjo, në vetvete, nuk provon asnjë ndikim të paligjshëm. Por ndërsa hetimi vazhdon dhe përfshin vendimmarrje të marra pikërisht në këto struktura, bëhet relevante të kuptohet nëse ish-ministrja vijon të ketë komunikim apo ndikim informal mbi njerëzit dhe institucionet që dikur drejtonte. Balluku nuk është më ministre. Por sa nga pushteti që ndërtoi gjatë viteve ka ikur bashkë me postin? Deri tani, SPAK nuk ka paraqitur një kërkesë të re në Kuvend.
Në korrik, kreu i Prokurorisë së Posaçme foli për një vendimmarrje që do të vinte në një “moment të mëvonshëm”. Sot, dosja është zgjeruar. Balluku nuk është më në qeveri.
Dhe Kryeministri thotë se përballë drejtësisë ajo mbron vetë veten. Prandaj pyetja nuk është më vetëm se çfarë ka në dosjen Balluku. Pyetja është se çfarë do të bëjë SPAK me të. Dhe nëse “momenti i mëvonshëm” i paralajmëruar në korrik ka mbërritur.
Top Channel