“Ajo ka përshkruar një kazermë”, Preç Zogaj për përjashtimin e Spiropalit: Rama nuk i pranoi mendimin ndryshe, të gjitha largimet nga PS i ka bërë ai
Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga forumet dhe grupi parlamentar i PS-së ditën e shtunë gjatë asamblesë së partisë ka ngjallur debate mbrëmjen e sotme në studion e ‘Top Story’.
Gazetari Arbër Hitaj shprehu se përjashtimi i Spiropalit ishte një kapriço e Ramës, sepse sipas tij mendon se do t’i zërë vendin. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, i tha gazetarit se ishte një vendim që u mor në asamble bashkërisht, ndërsa Hitajt i tha: ‘Ke qenë shumë i majtë dhe je bërë shumë i djathtë dhe e kuptoj pse i thua këto’.
Gazetari iu përgjigj duke thënë se nuk është as i majtë e as i djathtë dhe se mes të majtës dhe korrupsionit zgjedh të mos mbrojë korrupsionin, duke shtuar se në PS ka deputetë dhe kryebashkiakë me akuza korrupsioni që nuk janë përjashtuar, madje, sipas tij, janë mbrojtur.
Pjesë nga debati:
Arbër Hitaj: Kjo është kapriço e Ramës, kjo është pika më e ulët e partisë në 30 e ca vite. Është qartë përjashtim i Ramës dhe askujt tjetër. Është shkatërruar demokracia në mënyrë të tmerrshme
Blendi Klosi: Meqë ke qenë shumë i majtë dhe je bërë shumë i djathtë, po ta shpjegoj edhe një herë çfarë ka ndodhur dhe më dëgjo…
Arbër Hitaj: Shiko, unë mes të majtës, korrupsionit dhe të vërtetës, zgjedh të vërtetën, ju mbroni korrupsionin, aty ishte Balluku me gjithë ato akuza, keni deputetë me akuza korrupsioni, kryebashkiakë, jeni në siklet, e kuptoj shumë mirë se nuk keni çfarë të thoni, se asgjë nuk thatë për 30 minuta. Ishte largim i zotit Rama, sepse mendon që Spiropali do t’i zërë vendin.
Blendi Klosi: Ne jemi parti që…
Arbër Hitaj: Që mbroni korrupsionin, kjo parti jeni
Blendi Klosi: Thuaj të paktën “unë mendoj”, mos ia vër Ramës në gojë atë fjalën që ka frikë. PS sot është ajo forcë që ka fituar të gjitha garat elektorale në 20 vitet e fundit, vetëm në 2009 humbëm, që ishte vjedhje. Së bashku me Edi Ramën jo vetëm kemi fituar, por i kemi shërbyer Shqipërisë me ato fitore.
Arbër Hitaj: Po i keni shërbyer shumë mirë, prandaj protestojnë njerëzit. Unë të korruptuar nuk mbroj.
Blendi Klosi: Aty mirë e ke.
Top Channel