Polemikat te Brazili, Ancelotti iu përgjigjet sulmeve të Romarios dhe përgatit ndryshimin e madh
Portieri i Cagliarit rrëfen rrugëtimin e vështirë drejt Serie A, largimin nga Napoli i Contes dhe ambiciet për kombëtaren italiane. Megjithatë, nuk e përjashton një ftesë nga Shqipëria, falë shtetësisë që ka përfituar përmes partneres së tij.
Elia Caprile po kalon një moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Portieri 23-vjeçar i Cagliarit është shndërruar në një nga emrat më interesantë të futbollit italian, ndërsa për herë të parë ka folur hapur edhe për mundësinë e një aventure me kombëtaren shqiptare. Në një intervistë për Corriere della Sera, ai ka rrëfyer vështirësitë e fillimit të karrierës, vendimin për t’u larguar nga Napoli dhe objektivat e tij në nivel ndërkombëtar.
Rruga e Capriles drejt majave të futbollit nuk ka qenë aspak e lehtë. Në adoleshencë, portieri është përballur me paragjykime nga disa prej trajnerëve të tij, të cilët e konsideronin shumë të shkurtër dhe mbipeshë për të pasur një të ardhme në këtë pozicion.
“Kam menduar shumë herë të hiqja dorë”, pranon ai, duke kujtuar periudhën kur ishte 15-16 vjeç dhe kishte filluar të humbiste besimin te vetja. Mbështetja e dy trajnerëve të portierëve, Bressan dhe Squizzi, rezultoi vendimtare për të mos hequr dorë nga ëndrra. Ata e ndihmuan të rikthente besimin dhe të kuptonte se vetëm puna dhe sakrifica mund ta çonin drejt objektivave të tij.
Caprile u motivua edhe nga dëshira për t’u treguar të gjithëve se kishin gabuar në vlerësimin e tij. Pas eksperiencave me Chievon, Leeds United, Barin dhe Empolin, ai arriti të afirmohej në Serie A.
Një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij ishte largimi nga Napoli. Antonio Conte i kishte propozuar të konkurronte me Alex Meret për vendin e titullarit, por Caprile, në moshën 23-vjeçare, nuk dëshironte të kalonte një tjetër sezon në rolin e zëvendësuesit. Trajneri italian preferoi Meret, një zgjedhje që Caprile sot e konsideron të drejtë, veçanërisht pas fitimit të titullit kampion nga Napoli. Megjithatë, për të ishte e rëndësishme të luante rregullisht. “Pa ndeshjet e së dielës, ishte sikur më mungonte një pjesë e vetes”, shpjegon portieri, duke kujtuar se si në janar i komunikoi klubit dëshirën për t’u larguar. Fillimisht, vendimi nuk u prit mirë nga Conte, por në fund palët arritën ta kuptonin njëra-tjetrën.
Kalimi te Cagliari i dha mundësinë të bëhej protagonist dhe të gjente vazhdimësinë që kërkonte. Lidhja me klubin sard është tashmë shumë e fortë, aq sa kur u pyet nëse ndihej gati për një skuadër të madhe, ai u përgjigj me një fjali domethënëse: “Po mendoj për Cagliarin. Kjo është Champions-i im”.
Objektivi i madh i Capriles mbetet kombëtarja italiane. Portieri beson se ka arritur nivelin për të konkurruar me emrat më të mirë të Italisë dhe nuk e fsheh dëshirën për të marrë një ftesë nga Roberto Mancini.
“Mendoj se jam në atë nivel”, deklaron ai, duke shtuar se është i vetëdijshëm që gjithçka mund të ndryshojë dhe se për momentin duhet të përqendrohet te paraqitjet me Cagliarin. Edhe më herët, pas barazimit me Juventusin më 12 tetor, ai kishte theksuar se rruga drejt kombëtares kalon vetëm përmes paraqitjeve të mira me klubin. “Mund të rikthehem te Azzurrët vetëm duke bërë mirë për Cagliarin dhe duke dhënë gjithçka për këtë ekip”, ishte mesazhi i tij.
Por ndërsa Caprile synon të bindë Italinë, në horizont ekziston edhe një alternativë tjetër. Portieri ka fituar shtetësinë shqiptare përmes partneres së tij, Emily, e cila ka origjinë shqiptare. Një zhvillim që e bën emrin e tij interesant edhe për kombëtaren kuqezi. Në intervistën për Corriere della Sera, Caprile ka pranuar se deri tani nuk ka pasur kontakte nga Federata Shqiptare e Futbollit, por nuk e ka mbyllur derën për një mundësi të tillë. “Nuk e di nëse mund të dalë diçka nga kjo. Deri tani, askush nga federata shqiptare nuk ka trokitur në derën time. Nëse më kontaktojnë, do ta vlerësoj”, është shprehur portieri.
Një deklaratë që nuk përfaqëson një zgjedhje përfundimtare në favor të Shqipërisë, pasi ëndrra e tij mbetet të përfaqësojë Italinë. Megjithatë, fakti që nuk e përjashton një ftesë nga kuqezinjtë është një sinjal që meriton vëmendje.
Për më tepër, çështja nuk është vetëm e dëshirës së lojtarit. Caprile është grumbulluar më parë nga Italia, por nuk ka debutuar me kombëtaren A. Kjo rrethanë është e rëndësishme, por nuk mjafton automatikisht për të ndryshuar federatë. Rregulloret e FIFA-s kërkojnë edhe plotësimin e kritereve përkatëse të lidhjes me vendin që lojtari dëshiron të përfaqësojë. Për Shqipërinë, emri i Capriles mund të përfaqësojë një mundësi shumë interesante për të ardhmen e portës kuqezi. Për momentin, megjithatë, portieri i Cagliarit vazhdon të shpresojë te Italia. Nëse kjo derë nuk hapet, alternativa shqiptare mund të marrë një rëndësi tjetër.
Top Channel