Nëntë pika bastesh u mbyllën përpara një jave në Ferizaj, pas një aksioni të ndërmarrë nga Inspektoriati i kësaj komune në bashkëpunim me policinë.
Në shpjegimet e dhëna theksohej se, shumica e këtyre aktiviteteve nuk zotëronin një certifikatë biznesi dhe as kushtet minimale teknike për zhvillimin e veprimtarisë.
Kryetari i komunës, Agim Aliu thotë se do t’i kërkojë qeverisë së Kosovës mbylljen e të gjitha lojërave të fatit dhe salloneve të masazhit në zonë.
“Vërtet do të duhej që edhe vet qeveria të reflektonte mbi ligjin e lojërave të fatit. Unë do t’i kisha mbyllur të gjitha pikat e basteve dhe kazinotë kudo që janë, por veçanërisht në Ferizaj”, tha Agim Aliu.
Aliu është angazhuar me kohë për atë që e cilëson si “tolerancë zero” ndaj bizneseve që favorizojnë çdo dite informalitetin fiskal dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve.
Ndërkohë, ai u ankua se Ferizaj po penalizohet në aspektin buxhetor për shkak të keqmenaxhimit të qeverisjes së kaluar. 90 për qind e buxhetit të këtij viti, sipas tij është borxh i komunës.
Top Channel