KQZ në pritje të afatit ligjor për ankesat e rivalëve të garës politike, pritet të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Kosovë

22/06/2026 11:33

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të afatit ligjor për ankesa, në mënyrë që të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Afati 48 orësh për ankesa lidhur me administrimin e procesit të rinumërimit ka përfunduar të dielën në mesditë, ndërkohë që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se në shqyrtim ka dy ankesa.

“Ju njoftojmë se aktualisht janë parashtruar dy ankesa nga kandidatë të subjektit politik PDK, të cilat janë në proces të shqyrtimit”, u bë e ditur nga PZAP.

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu kishte njoftuar për ankesën e tij duke thënë se ka kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputetë nga radhët e partisë së tij.

“Rinumërimi i vetëm 185 vendvotimeve, që përfshin rreth 3.52% të votave të PDK-së, dëshmoi se kishte gabime në numërimin fillestar. Edhe në këtë mostër të kufizuar, më janë shtuar 6 vota që nuk ishin numëruar më parë. Kur diferenca ndërmjet kandidatëve është vetëm 102 vota, çdo votë ka rëndësi dhe çdo pasaktësi mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Për këtë arsye kam kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat e kandidatëve të PDK-së që nuk janë përfshirë në rinumërimin e deritanishëm”, kishte shkruar Haxhiu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se do të dalë me një raport mbi procesin e rinumërimit që mor si masë kontrolli për të parandaluar manipulimin me rezultat të votave të kandidatëve për deputetë siç ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas pranit operativ të KQZ-së, synohet që rezultati përfundimtar të shpallet më 26 qershor e certifikimi të bëhet më 6 korrik.

Top Channel