Kosova, nga kjo e premte ka ushtrinë e saj. Kuvendi miratoi 3 projektligjet, atë për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për “Shërbimin në FSK”, që mundësonin transformimin e FSK-së në ushtri të mirëfilltë.
Një votim ky i mbajtur sipas ligjit, në pamundësi që shndërrimi të realizohej përmes ndryshimeve kushtetuese, për shkak të kundërshtimit kategorik të përfaqësuesve serbë në Kuvend.
Miratimi u bë me shumicë të qartë votash. Seanca nisi me një minutë heshtjeje për të nderuar, siç u tha, “të gjithë ata që u vranë dhe sakrifikuan” duke dhënë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kosovë, 106 vota pro për Ministrinë e Mbrojtjes
Votimi u cilësua si historik nga përfaqësuesit politik të Kosovës, por edhe ambasadori amerikan Philip Kosnett, i cili pak përpara tha se “siguria e një vendi varet nga cilësia e marrëdhënieve të tij paqësore dhe bashkërisht të dobishme me fqinjët e tij, por edhe nga fuqia dhe profesionalizmi i forcave të tij të armatosura”.
Nisma në vetvevte erdhi pasi kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka marrë përkrahjen nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, që ushtria të formohet sipas ligjit. Por, ndërsa Kosova bëhet me ushtri pas një dekade, ajo nuk e ka marrë përkrahjen e të gjithëve.
Thaçi paraprin me uniformë formimin e ushtrisë së Kosovës
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e nënvizoi ditë më parë se Kosova “do të përballej me pasoja serioze, nëse vazhdonte me transformimin e FSK-së në ushtri të saj”, një proces ky që sipas tij vjen në një “periudhë të papërshtatshme”.
Reagimet e serbëve, ndërkohë, janë të mëdha dhe nuk janë kufizuar vetëm në nivel qeveritar. Veriu i Mitrovicës sot, sipas “Kosovapress” është gdhirë me flamuj serbë. Por, në Prishtinë krijimi i ushtrisë është përcjellë me një atmosferë festive. Sheshet e kryeqytetit janë mbushur me flamuj të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe shteteve të tjera, të cilat Kosova i konsideron si vende që e kanë ndihmuar në vazhdimësi.
“Me këtë votim, sot fillon një epokë e re për shtetin tonë, nga ky moment kemi zyrtarisht ushtrinë e Kosovës. Në sallë kemi kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që nga sot janë ushtarët e Kosovës. Urime ushtarë, nga sot gatitu!”, u shpreh kryeparlamentari Veseli duke mbyllur kështu seancën.
Votimi për ushtrinë, rikthehen tanket e KFOR-it tek ura e Mitrovicës (Foto)
Ushtria e Kosovës, Rama uron Thaçin, SHBA dhe BE-në
Meta: Ushtria e Kosovës, vendim historik
Ushtria e Kosovës, Basha: Ngjarja e dytë historike, pas Pavarësisë
Top Channel