Gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me simptoma helmimi, procedohen penalisht mjekja dhe drejtoresha e kopshtit në Korçë

03/10/2026 20:10

Dy persona janë proceduar penalisht në Korçë, pas rastit të gjashtë fëmijëve nga i njëjti kopsht, të cilët janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.

Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, një mjeke 57-vjeçare e Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë, si dhe drejtoreshën 60-vjeçare të kopshtit ku qëndronin fëmijët.

Sipas njoftimit zyrtar, procedimi penal nisi pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht janë paraqitur në spital me simptoma të njëjta gastrointestinale.

Policia thotë se mjekja dyshohet se nuk ka njoftuar Policinë për rastet e paraqitura në spital.

Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin e saj funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Rasti është ende nën hetim dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse simptomat e fëmijëve kanë ardhur si pasojë e helmimit nga ushqimi apo një viroze.

Materialet procedurale pritet t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Top Channel