Edhe pak minuta e ndajnë Kosovën nga themelimi i ushtrisë së saj, përmes transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kuvendi pritet të nisë nga momenti në moment seancën plenare të asaj që quhet edhe si “Dita D”, një ditë që do të jetë historike për Kosovën.

Për t’i paraprirë votimit historik, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vizitoi të enjten Forcën e Sigurisë së Kosovës ndryshe nga herët e tjera: Jo me kostumin zyrtar që i imponon posti i kreut të Shtetit, por me uniformë ushtarake, për t’i dhënë mbështetje nismës që pritet të konkretizohet së shpejti me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nga ky muaj, ju do të keni mandat të ri, mision të ri. Si Forcë e Sigurisë së Kosovës, ju jeni ushtria e Kosovës. Do të shërbeni dhe mbroni me integritet pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës”, tha ndër të tjera presidenti Thaçi, këtë herë në rolin e Komandantit Suprem të FSK-së.

Më tej ai zgjodhi rrjetin social për të bërë një deklaratë më të gjerë.

“Si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në prag të transformimit në ushtri të rregullt, i vizitova ushtarët në kazermën ‘Adem Jashari’. Rrugëtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës simbolizon ecjen dhe zhvillimin e shtetit tonë. Një proces me hapa të gjatë dhe të mundimshëm, por gjithmonë i orientuar drejt arritjes së një qëllimi të qartë, në dobi të qytetarëve të të gjitha komuniteteve në vendin tonë. Për qytetarët dhe institucionet, Forca e Sigurisë ‘de facto’ ka qenë gjithmonë Ushtria e Kosovës. Por, nga ky muaj, me mandatin e ri, vajzat dhe djemtë tanë, me dinjitet e krenari edhe do ta mbrojnë Republikën e Kosovës, duke kontribuar gjithnjë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe më gjerë. Sot, nesër dhe përgjithmonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe ushtarët tanë, i tërë populli ynë do t’i shikojë me respekt, me nderim dhe krenari”, shkruan Thaçi në Facebook.

Top Channel