Partizani po u jep fund përgatitjeve në prag të sfidës kundër Flamurtarit në Vlorë. Në stërvitjen që i paraprin përballjes me kuqezinjtë, trajneri Skënder Gega është përqendruar kryesisht tek loja nga krahët, me ushtrime që favorizojnë krosimet dhe pasimet drejt zonës.

Mungesa kryesore e demave do të jetë ajo e Alban Hoxhës, pasi kapiteni nuk ishte i pranishëm në seancën stërvitore dhe po vijon terapinë nën kujdesin e mjekëve.

Gjasat janë të shumta që portieri të mos zbresë në fushë në Vlorë dhe vendin e tij ta marrë Dashamir Xhika. Kujtojmë që 30-vjeçari po vuan nga një zgjatim të ligamentit anësor në gjurin e djathtë, dëmtim me të cilin po bashkëjeton që nga fundi i muajit tetor.

Ky është i vetmi problem për trajnerin Gega teksa pjesa tjetër e skuadrës është e plotë. Ndërprerja për shkak të ndeshjeve të skuadrës kombëtare i ka shërbyer teknikut 52-vjeçar, jo vetëm për të rikuperuar ata lojtarë që kishin shfaqur shqetësime, por edhe në aspektin fizik, duke qenë se vetë trajneri e ka pranuar se disa lojtarë kanë shfaqur shenja lodhjeje.

Përsa i përket formacionit titullar, duket se me përjashtim të Hoxhës nuk do të ketë ndryshime madhore në krahasim me ndeshjen e fituar kundër Laçit më 11 Nëntor, pra me Ibrahimin, Atandën, Belicën e Trashin në mbrojtje, Hila e Telushi në qendër të mesfushës me Asanin e Malën nga krahët, ndërsa Mensah e Bardhi do të jenë më të avancuar, megjithatë nuk përjashtohet as mundësia e aktivizimit të Hebajt titullar me ganezin në stol.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA