Manchester United mori një fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Juventusit në Torino, por gjithçka kaloi në plan të dytë, pasi vëmendja u spostua te gjesti i Jose Mourinhos, që u “hakmor” ndaj sharjeve të tifozëve bardhezi, thuajse gjatë gjithë sfidës.
Opinioni sportiv botëror është ndarë në dysh, në lidhje me këtë çështje, pasi të shumtë janë ata që e kanë quajtur të ekzagjeruar reagimin e teknikut portugez të “djajve të kuq”, por ka edhe të tjerë që e kanë marrë në mbrojtje, duke justifikuar sjelljen e tij.
Një ndër ta është Massimo Moratti, ish president i Interit, i cili me Mourinhon në stol regjistroi periudhën më të suksesshme të tij në krye të zikaltërve, duke fituar edhe “tripletën” e famshme të trofeve, titull, kupë dhe Ligë Kampionësh.
“Është pjesë e karakterit të tij. Kur kthehet në Itali, gjen të gjithë ndjenjën, përvojën dhe pasionin e një jete, që e bën të reagojë sikur të ishte ende këtu, duke menduar për klubin ku ishte dhe të tjerët që ishin antagonistë. Asgjë ofenduese për askënd, pasi kemi të bëjmë thjesht me disa situata që krijojnë diskutim dhe në botën e futbollit vijojnë të mbeten interesante”, deklaroi Moratti.
Top Channel