Pas rreth 6 muajsh ‘në kërkim’. Zlatan Ibrahimovic, kthehet të kalojë portën e Milanellos. Herën e fundit që suedezi e kishte bërë këtë ishte në muajin mars, moment kur Milani nisi të hyjë në një spirale negative nga e cila doli i shkatërruar dhe kur raportet mes tij dhe Allegrit ishin kompromentuar.

Zlatan Ibrahimovic në vizitën e tij, përshëndeti skuadrën dhe trajnerin dhe ndoqi seancën stërvitore të kuqezinjve. Ibrahimovic u kthye por nuk mund të mos binin në sy, dy aspekte të veçanta; atmosfera evropiane, edhe pse nuk është ajo më e rëndësishmja dhe fakti që për këtë debutim, Cardinale nuk do të jetë.

Është ky një tjetër konfirmim se është Zlatan Ibrahimovic ai që përfaqëson pronarët kur nuk është shefi i madh. Me shumë mundësi Ibrahimovic do të jetë i pranishëm edhe në seancën stërvitore të së martës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Benfica.

Gjatë këtyre muajve, Zlatan Ibrahimovic bëri atë që i ka kërkuar drejtpërdrejt Cardinale; ka marrë pjesë në rolin e superkëshilltarit në revolucionin e Milanit pas mbylljes së sezonit të kaluar, ka thënë fjalën e tij përsa i përket trajnerit të ri dhe kërkesave në merkaton e transferimeve dhe më pas u nis për në SHBA për të kryer rolin e komentatorit të Botërorit për Fox Sports.

Dhe e gjithë kjo duke qenë në shënjestrën e kritikave të tifozëve që prej kohësh e kritikojnë duke e konsideruar si shumë të distancuar nga kërkesat e klubit. Mungesa në funeralin e Baresit, nuk ndihmoi në afrimin me ta. Por ndërkohë, pavarësisht gjithçkaje, në Milanello skuadra sheh një figurë të rëndësishme dhe përpara një debutimi evropian të komplikuar siç është ndeshja me Benfican të mërkurën, sigurisht që kjo nuk është e dëmshme.

Top Channel