Thierry Henry ka nisur punën e tij si trajner i Monacos në kampionatin francez të futbollit.

Ish-sulmuesi i përfaqësueses franceze, i cili vetëm përpara pak ditësh, u zyrtarizua në drejtimin e Klubit të Principatës, zhvilloi seancën e parë stërvitore me këtë skuadër.

Thierry Henry, i cili deri në përfundim të Botërorit të Rusisë ishte asistenti i Roberto Martinezit në stolin e përfaqësueses belge, zëvendësoi te Monaco portugezin Leonardo Jardim dhe për të ky është një kthim në shtëpi, duke qenë se te Monaco ai nisi edhe karrierën e tij si futbollist.

Monaco është në pozita të vështira në kampionatin francez dhe sfida e parë e Henry në këtë kompeticion është ajo që do të luhet këtë fundjavë me Strasburgun, në fushën e këtij të fundit.

Një prej personave që e inkurajoi Henry-n pas marrjes së kësaj detyre, ishte Didier Deschamps, i cili e ka nisur karrierën e tij si trajner pikërisht te Monaco. Tekniku aktual i Francës deklaroi se sezoni i parë i tij te Monaco ishte i vështirë për të dhe se i uron Henry-së shumë suksese.

Deschamps shtoi se Henry i ka të gjitha cilësitë për t’u bërë një trajner i mirë dhe se ai është gati për këtë aventurë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA