Kampionati italian i futbollit është ndalur, ashtu si të gjitha kampionatet e tjera europiane për t’u dhënë kohë kombëtareve që të shfaqin më të mirën në miqësoret dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve. Kjo ka bërë që shumë ekspertë të hartojnë analiza dhe bilance në Serie A.
Këtë vit, 20 formacionet më të mira të skuadrave të vendit të “Apenineve” shpenzuan në merkato 1 miliard euro, një shifër shumë e madhe që riktheu pas shumë kohësh Italinë ndër kampionatet që shpenzojnë për yje të mëdhenj dhe talente. Seria A është e dyta vetëm pas kampionatit anglez, Premier League.
Por, nga statistikat duket se 1/3-a e milionave të shpenzuara, e përkthyer në lojtarë, ngroh pankinat.
Plot 320 milionë euro janë përdorur nga klubet italiane për të blerë ose për të firmosur në huazim me lojtarë që kanë shpenzuar më shumë kohë në stol dhe në tribuna, sesa në fusha. Analiza e bërë mban në vëzhgim futbollistët që deri në këtë fazë të kampionatit nuk kanë kaluar 200 minutat e aktivizimit.
Napoli duket në vendin e parë, me 90 milionë euro vlerë në lojtarë që nuk i ka konsideruar thuajse fare. Emrat që ngrenë bilancin janë Fabián Ruiz dhe Simone Verdi. Në vendin e dytë, për lojtarët që ka konsideruar më pak dhe i ka paguar shumë, është Milani me 58 milionë euro. Në shkallën më të ulët të podiumit, aspak të lakmuar, është Interi.
Top Channel