Çfarë nuk po funksionon te Milani? 4 dilema të mëdha për Amorimin
Ndonjëherë mjaftojnë 45 minuta për të ndryshuar perceptimin për një futbollist. Diego Moreira e bëri këtë në Olimpico, ku hyri në fushë pa shumë pritshmëri dhe doli prej saj si heroi i Milanit.
Anësori i afruar për 50 milionë euro kishte lënë shumë pikëpyetje pas debutimit me Juventusin. Në Torino, Moreira ishte dukur i pasigurt, larg pritshmërive dhe me një problem të madh në administrimin e topit. Por ndaj Lazios gjithçka ndryshoi.
Amorim e aktivizoi në pjesën e dytë dhe zgjedhja për ta vendosur në krahun e majtë rezultoi perfekte. Moreira shfrytëzoi hapësirat, luajti më lirshëm dhe me dy goditje fantastike me të majtën shënoi dy gola që ndryshuan komplet rrjedhën e takimit.
“Jam shumë i lumtur për dy golat e mi të parë, por do të isha edhe më i lumtur nëse do të kishim fituar. Bëmë një pjesë të dytë të madhe dhe meritonim më shumë”, tha Moreira pas ndeshjes. Ai gjithashtu iu përgjigj atyre që e cilësuan të ndrojtur në debutimin kundër Juventusit.
“Nuk do të thoja se isha i ndrojtur. Për mua ishte hyrja në kampionatin italian dhe ndodhi kundër një skuadre të madhe. Sot luajta në të majtë, por mund të luaj në të dy krahët. Trajneri bëri një zgjedhje shumë të mirë duke më vendosur majtas. Të shohim ku do të luaj ndeshjen e ardhshme”, u shpreh ai.
Por kush është në të vërtetë Diego Moreira?
I lindur në vitin 2004, me origjinë nga Guinea-Bissau dhe i rritur në futbollin belg, Moreira është një futbollist që mund të mbulojë disa pozicione. Në formimin e tij të hershëm ai përfaqësoi edhe Portugalinë në ekipet e moshave, ndërsa me Benfikën fitoi UEFA Youth League si protagonist. Pozicioni i tij natyral është ai i anësorit, por mund të luajë edhe si trekuartist dhe, nëse është e nevojshme, edhe më prapa në krah.
Vetë Moreira pranon se ndihet më mirë në të djathtë, por ndaj Lazios Amorim e përdori në të majtë dhe vendimi rezultoi një goditje taktike e goditur.
Aftësitë më të spikatura të tij janë driblimi dhe shpërthimi në shpejtësi. Kur ka hapësirë për të sulmuar, Moreira mund të bëhet jashtëzakonisht i rrezikshëm. Por talenti ka edhe anën tjetër. Vazhdimësia, puna në fazën mbrojtëse dhe pastërtia në veprime kanë qenë ndër problemet e tij. Kundër Juventusit, për shembull, humbi 18 topa.
Në Olimpico ishte një tjetër lojtar. Më i lirë, më agresiv dhe më i sigurt në veprimet e tij. Dy golat nuk janë vetëm një dopietë në statistikë. Mund të jenë momenti që ndryshon sezonin e Diego Moreiras dhe, mbi të gjitha, mënyrën se si Milani e sheh tashmë një prej investimeve të tij më të shtrenjta. Nga “objekt misterioz” pas debutimit me Juventusin, në protagonist të madh në Olimpico. Për Moreiran, ndoshta sezoni i vërtetë sapo ka nisur.
Top Channel