Kreu i Guardia di Finanza merr çelësin e Tiranës, Toschi: Qyteti më i sigurtë

28/09/2018 12:18

“Qyteti dhe vendi juaj i bukur është shumë më i sigurt se kurrë më parë”. Kështu u shpreh Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, Giorgio Toschi, i cili u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Komandanti Toschi dhe kryebashkiaku Veliaj vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite mes policisë shqiptare dhe asaj italiane në fushën e sigurisë, ku tashmë vendi ynë është partner i besueshëm në luftën ndaj kriminalitetit.

Në shenjë miqësie, Veliaj i dorëzoi Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza edhe “Çelësin e Qytetit”. “Po jua dorëzoj Çelësin e qytetit të Tiranës sepse ju konsiderojmë pjesë të shtëpisë sonë, dhe me një miqësi të vërtetë dhe vlerësim për “Guardia di Finanza”, për vullnetin për të ecur përpara së bashku, jo si inferiorë, por si partnerë. Ju falenderoj vërtet! Tani kemi një qytet që është edhe më i sigurt dhe besoj se kjo është edhe meritë e juaja, sepse ka gjëra që mund t’i bësh i vetëm, por ka edhe gjëra, si krimi ndërkombëtar, që nuk mund t’i bësh ballë i vetëm, nëse nuk ke miq të vërtetë. Ju jeni një mik i vërtetë, ju vlerësoj shumë”, tha Veliaj.

Giorgio Toschi e cilësoi domethënës nderimit që i bëhet atij dhe “Guardia di Finanza”-s nga Bashkia e Tiranës. Ai theksoi se të dy vendet janë të impenjuara maksimalisht për të bashkëpunuar.

Top Channel