“Shteti i së drejtës mbetet kusht për Shqipërinë”/ Europarlamentari holandez: Paraburgimi i Veliajt, për qëllime politike

01/11/2026 11:32

Europarlamentari holandez, Sander Smit ka ngritur shqetësime për përdorimin e paraburgimit në Shqipëri, teksa komentoi rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

I pyetur për qëndrimin e tij ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian dhe gatishmërisë së Shqipërisë për anëtarësim, Smit e cilësoi çështjen e Veliajt si me rëndësi të madhe për vlerësimin e shtetit të së drejtës në vend.

Sipas tij, paraburgimi përdoret shpesh në Shqipëri dhe, në disa raste, duket se shërben si mjet politik. Smit e përmendi rastin e Veliajt krahas protestave të vazhdueshme në vend, duke thënë se këto zhvillime tregojnë se Shqipëria ende nuk e ka vendosur plotësisht shtetin e së drejtës.

Eurodeputeti tha se Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina nuk duhet të anëtarësohen në BE pa përmbushur të gjitha kushtet për shtetin e së drejtës, funksionimin e tregut të brendshëm dhe luftën kundër korrupsionit në institucionet qeveritare.

Ai theksoi se mbështetja për këto vende nuk nënkupton lejimin e tyre të anashkalojnë kriteret e anëtarësimit.

Top Channel